Ndihma e SHBA-së për Ukrainën rrezikon të venitet?

Uashington, 1 shtator 2023 – “Nëse Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga ndihma për Ukrainën, një gjë e tillë do t’i nxiste edhe shtetet e tjera ta bënin të njëjtën, si dhe do ta përçante aleancën e NATO-s”, thotë për Radion Evropa e Lirë gjenerali i pensionuar i ushtrisë amerikane, Stephen Twitty.

Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin, është duke llogaritur pikërisht në këtë skenar.

Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt të vitit 2022, SHBA-ja ka dhënë më shumë se 60 miliardë dollarë ndihma për vendin në luftë – prej tyre, 43 miliardë dollarë ndihma ushtarake.

Këtë javë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shpalli një tjetër paketë të ndihmës për Kievin, që përfshin municione e raketa dhe kap vlerën e 250 milionë dollarëve.

Shifrat e bëjnë SHBA-në kontribuuesen më të madhe në Ukrainë, sa u përket parave të shpenzuara.

Por, 18 muaj pas nisjes së pushtimit rus, disa amerikanë dyshojnë se ndihma ia vlen koston.

Çfarë thonë republikanët që synojnë presidencën?

Javën e kaluar, tetë republikanët që garojnë për nominimin e partisë së tyre për kandidat presidencial, u përplasën rëndë në lidhje me çështjen.

Mes tyre kishte nga ata që thanë se, nëse do t’i fitonin zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ndihmën e SHBA-së për Ukrainën do ta kushtëzonin me rritje të ndihmës nga Evropa.

“Evropa duhet të ngrihet. Unë do të bëj që Evropa të ngrihet dhe ta bëjë punën e saj”, tha Ron DeSantis, guvernator i Floridës.

Pas SHBA-së, institucionet e Bashkimit Evropian janë donatoret më të mëdha në Ukrainë. Ato ndiqen nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Kanadaja, Polonia, Franca e kështu me radhë.

Sfiduesi i DeSantisit, Vivek Ramaswamy, shkoi edhe më larg, duke thënë se nuk do ta mbështeste rritjen e fondeve për Ukrainën.

“Është katastrofë”, tha biznesmeni pa përvojë në poste publike.

“Ne po mbrohemi nga një pushtim përtej kufirit të dikujt tjetër, kur ato burime ushtarake duhet t’i përdorim për të parandaluar… pushtimin e kufirit tonë jugor, këtu në SHBA”, tha Ramaswamy, duke iu referuar kufirit me Meksikën, prej nga flukse të mëdha migrantësh kanë hyrë në SHBA.

Disa kandidatë të tjerë, përfshirë ish-zëvendëspresidentin Mike Pence, ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, dhe ish-guvernatorin e Nju Xhërsit, Chris Christie, i kritikuan këto qëndrime, duke mbrojtur mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kievin.

Kandidati Donald Trump, të cilin sondazhet e opinionit e nxjerrin në epërsi, nuk mori pjesë në debat, por në një intervistë të publikuar në platformën X, tha se Rusia nuk do ta pushtonte kurrë Ukrainën, sikur ai të ishte president. Trump, i cili ka shërbyer si president i SHBA-së nga viti 2017 deri më 2021, nuk solli ndonjë provë për këto pretendime.

Bie mbështetja për fonde shtesë për Ukrainën

Në bazë të një sondazhi që ka publikuar rrjeti televiziv, CNN, muajin e kaluar, 45 për qind e amerikanëve e mbështesin mënyrën sesi presidenti aktual, Joe Biden, i cili do të garojë për rizgjedhje, e ka trajtuar situatën në Ukrainë.

Megjithatë, sipas të njëjtit sondazh, shumica e amerikanëve, përkatësisht 55%, nuk pajtohen që Kongresi të autorizojë fonde shtesë për Ukrainën. Ndërsa, 45 për qind thonë se Kongresi duhet të autorizojë fonde të tilla.

Ky sondazh është kryer nga data 1 deri më 31 korrik, me një mostër prej 1.279 të rriturish.

Për krahasim, një sondazh i kryer në ditët e para të pushtimit rus, në fund të shkurtit, 2022, ka zbuluar se 62% e amerikanëve mendonin se SHBA-ja duhej të kishte bërë më shumë.

Pa SHBA-në, “Ukraina nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë…”

Gjenerali i pensionuar amerikan, Stefphen Twitty, thotë se është vështirë të përcaktohet nëse ndihma amerikane për Ukrainën do të vazhdojë me të njëjtin intensitet, marrë parasysh pasigurinë e zgjedhjeve në SHBA.

“Shpresoj që SHBA-ja dhe aleatët tanë të NATO-s do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën. Është e rëndësishme që të shohim një pamje më të gjerë, sa i përket kërcënimit të paqes dhe sigurisë në kontinentin evropian”, thotë Twitty.

Ben Hodges, ish-komandant i ushtrisë amerikane në Evropë, thotë se Biden duhet të përpiqet më shumë për t’iu shpjeguar qytetarëve të tij se përse “suksesi në Ukrainë është në interes të Amerikës dhe aleatëve të saj”.

“Përndryshe, mbështetja e fortë dypartiake [për Ukrainën] mund të fillojë të zbehet vitin e ardhshëm”, thotë ai. “Amerikanët do të fokusohen në zgjedhje, ndërsa kundërshtarët politikë të presidentit mund të gjejnë mundësi për të kritikuar politikat e tij”.

Hodges thotë se Kremlini shpreson në këtë: dobësimin ose pakësimin e mbështetjes së SHBA-së dhe të Perëndimit për Ukrainën.

Zyrtarët rusë, vazhdimisht, kanë kritikuar ndihmën ushtarake të Perëndimit, duke thënë se ajo e bën atë pjesëmarrës në konfliktin në Ukrainë.

Mark Cancian, kolonel i pensionuar i marinës amerikane, thotë se “pa pjesëmarrjen e SHBA-së, mbështetja globale për Ukrainën do të fundosej. E, pa ndihmën e jashtme, Ukraina nuk do të ishte në gjendje ta vazhdonte luftën”.

Sipas tij, tërheqja e mundshme e ndihmës ka gjasa të shoqërohet edhe me kërkesën për zgjidhje të negociuar të konfliktit.

“Kjo nënkupton një armëpushim, i cili do t’i jepte Rusisë fitore të pjesshme”, thotë Cancian.

Aleatët perëndimorë vazhdimisht zotohen se do ta ndihmojnë Ukrainën “për aq kohë sa duhet”, por shpesh nuk specifikojnë se sa duhet për të bërë çfarë?!

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se “për aq kohë sa duhet”, nënkupton mbështetje për qëllimet e vendosura nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe populli ukrainas, e ato përfshijnë: rikthimin e territoreve të pushtuara nga Rusia – mes tyre edhe Krimenë – dhe dëbimin e forcave ruse nga toka e Ukrainës.

Për gjeneralin Hodges, fraza “për aq kohë sa duhet” është “boshe”. Sipas tij, atë e përdorin shumë udhëheqës për ta shmangur atë që duhet thënë, se “ne duam që Ukraina të fitojë”.

“Ne nuk mund ta dimë se çfarë do të ndodhte nëse Putini do të mbizotëronte në Ukrainë, por barbaria që ai ka përdorur tashmë, është një tregues i vlefshëm”, ka shkruar Washington Post në një opinion të vetin, të publikuar në korrik.

“…Perëndimi duhet t’i sigurojë armët që i duhen Ukrainës për të mbijetuar… Është detyrim i botës së qytetëruar që të ndalojë një tjetër tmerr”, sipas gazetës amerikane.

(REL)