Ndihmës Sekretari i NATO-s e dënon sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, kërkon hetim të plotë dhe transparent

Bruksel, 5 dhjetor 2024 – Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Tom Goffus, e ka pritur në selinë e NATO-s presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Mes tjerash në takim është diskutuar për sulmin që ka ndodhur më 29 nëntor në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok.

“Goffus e dënuar sulmin e së premtes në infrastrukturën kritike në Zubin-Potok”, ka njoftuar zëdhënësja e NATO-s, përmes në postimi në platformën “X”.

Në postim thuhet se se z. Goffus, ka thënë se duhet të bëhet një hetim i plotë e transparent i rastit dhe ka theksuar se misioni paqeruajtës I NATO-s në Kosovë, KFOR, është vigjilent në kryerjen e misionit të tij.

“Të gjitha faktet duhet të vërtetohen përmes një hetimi transparent dhe të plotë. KFOR-i mbetet vigjilent. Koordinimi me KFOR-in është kyç për stabilitetin rajonal”, citohet të ketë thënë ndihmës sekretari Goffus.

 

Presidentja Osmani ka treguar se me z. Goffus ka diskutuar mbi angazhimet e përbashkëta për paqe e siguri në Kosovë.

“Sot në NATO, në diskutime me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Tom Goffus, për punën dhe angazhimet tona të përbashkëta për paqe e siguri në Kosovë”, ka shkruar Osmani.

Takimi me zyrtarët e lartë të NATO-s vjen pak ditë pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në pjesën veriore të vendit. Autoritetet e Kosovës e akuzuan Serbinë për “orkestrim dhe organizim” të sulmit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka mohuar këto akuza dhe ka paralajmëruar se do të bëjë hetime të pavarura lidhur me sulmin.

(r.m.)