Uashington, 17 gusht 2023 – Ish Presidenti dhe kandidati republikan për president, Donald Trump, thotë se çdo aktpadi e re kundër tij, po rrit përkrahjen për të, gjë që konfirmohet edhe nga sondazhet e fundit.
Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, disa anketa të tjera theksojnë se zoti Trump ka disa dobësi në zgjedhjet e përgjithshme presidenciale. Për të fituar, veç emërimit të partisë republikane, ai duhet të mposhtë kandidatët e pavarur dhe demokratët.
Këtë javë në bashkinë e Fultonit, Prokurorja Fani Willis njoftoi padinë e katërt ndaj ish Presidentit Donald Trump, këtë herë lidhur me akuzat se ai u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në Xhorxhia, të cilat i humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden.
Gjatë fjalimit të tij në një tubim zgjedhor në fillim të gushtit në Alabama, zoti Trump i quajti aktakuzat “qesharake” dhe tha se ato vetëm sa e rrisin mbështetjen për të.
“Sa herë që ngrenë aktakuzë, mbështetja për ne rritet. Na duhet edhe një aktakuzë për t’i përmbyllur këto zgjedhje. Një aktakuzë më shumë dhe këto zgjedhje mbyllen. Askush nuk ka shanse”, tha ai.
Sipas një sondazhi të agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ dhe Qendrës për Hulumtim të Marrëdhënieve me Publikun ‘NORC’, i realizuar para ngritjes së aktpadisë në Xhorxhia, 74 për qind e republikanëve mbështesin zotin Trump për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Por 53 për qind e të gjithë amerikanëve të anketuar thonë se nuk do ta mbështesin atë, ndërsa 11 përqindëshi tjetër thonë se ‘ndoshta nuk do ta mbështesin atë në nëntor të vitit 2024’.
Zoti Trump po përballet gjithashtu me padi në Uashington, Nju Jork dhe Florida. Kjo mund të dobësonte çdo kandidat, por jo domosdoshmërisht zotin Trump, thotë një ekspert për Zërin e Amerikës.
“Nuk do të habitesha nëse e shohim që Donald Trumpi përfiton nga ky proces dhe përpiqet ta shfrytëzojë për të marrë vëmendjen e shtypit, sepse në shumë aspekte, fushata e tij presidenciale është gjyqi në bashkinë e Fultonit, gjyqi në Uashington dhe gjyqet në Nju Jork dhe Florida”, thotë profesori Anthony Michael Kreis.
Një tjetër ekspert i tha Zërit të Amerikës se është i shqetësuar nga dështimi i shumicës së udhëheqësve republikanë për ta mbajtur zotin Trump përgjegjës dhe për t’u distancuar prej tij, pas akuzave mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
“Nëse republikanët futen në garë me Donald Trumpin si kadidatin e tyre, gjithçka mund të ndodhë. Sidomos sepse demokratët do të kenë një pothuajse 82 vjeçar që kandidon për një mandat tjetër – me gjithë respektin për të dhe shpresoj se ai do të jetojë deri në 100 vjet”, thotë analisti politik Larry Sabato.
Disa amerikanë thonë se mosha e kandidatëve kryesorë është shqetësuese. Zoti Biden është 80 vjeç, ndërsa zoti Trump është 77.
Ish Nënpresidenti në administratën e zotit Trump, Mike Pence është gjithashtu në garë për emërimin e republikanëve për president.
Ai thotë se zoti Trump u përpoq ta detyronte atë të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve, në prag të sulmit të 6 janarit më 2021 në Kapitol.
“Atë ditë, Presidenti Trump më kërkoi ta vë atë mbi Kushtetutën. Por unë zgjodha Kushtetutën dhe ashtu do të bëj gjithmonë. Unë vërtet besoj se kushdo që vë veten mbi Kushtetutën, nuk duhet të jetë kurrë president i Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Pence.
Zoti Trump po mundohet t’i shytjë gjyqet, deri pas zgjedhjeve të vitit 2024, por disa ekspertë thonë se është në interes të votuesve që, para zgjedhjeve, të dinë nëse ai do të shpallet fajtor, ose jo, veçanërisht për akuzat që lidhen me përpjekjet për të penguar transferimin paqësor të pushtetit, për herë të parë në historinë amerikane.
(Zëri i Amerikës)