Uashington, 13 gusht 2023 – Ardhja në Shtetet e Bashkuara e yllit ndërkombëtar të futbollit Lionel Messi për të luajtur për Interin e Majamit ka krijuar shumë bujë, duke ngjallur entuziazëm në mesin e tifozëve të Ligës Amerikane të Futbollit. Kjo pritet të ketë një ndikim kulturor dhe financiar tek sporti në Shtetet e Bashkuara.
Ardhja e Leo Messit në ligën amerikane të futbolli ka krijuar një entuziazëm të madh për tifozët , të cilët janë të emocionuar nga mundësia për ta parë nga afër duke luajtur në fushë.
“Përvojë shumë e mirë. Loja ishte shumë e mirë, atmosfera, gjithçka”, thotë Rafael.
“Është e mrekullueshme. Më pëlqeu ndeshja”, thotë Silvia, tifoze e futbollit.
Në ndeshjen e tij të parë në korrik si kapiten i skuadrës së Interit të Majamit, ai shënoi një gol në minutën e fundit, duke e ndihmuar ekipin e tij të fitonte ndeshjen kundër ekipit Cruz Azul të Meksikës.
Komisioneri i Ligës Amerikane të Futbollit, Don Garber e sheh ardhjen e Messit në Shtetet e Bashkuara si një pikë kthese për ligën.
“Ky është një moment transformues për Ligën Amerikane të Futbollit pasi Mesi është lojtari më i mirë, që ka vendosur të luajë në Ligën Amerikane të Futbollit”, thotë ai.
Trajneri i ekipit DC United, Wayne Rooney, shpreson se ardhja e Messit do të ndikojë për të tërhequr lojtarë të tjerë ndërkombëtarë të profilit të lartë në Ligën Amerikane të Futbollit. Menjëherë pas njoftimit të mbërritjes së Messit në ekip, Interi i Majamit bleu dhe dy ish-shokët e tij të skuadrës në Barcelonë, Sergio Busquets dhe Jordi Alba.
“Mendoj se ishte e rëndësishme për ligën që të blinte Messin dhe të tregonte se mund të konkurrojë me ligat e shteteve të tjera, në një sport, ku po shpenzohen shumë para”, thotë ai.
Komentatori britanik i futbollit, Callum Williams thotë se ka parë një rritje të qëndrueshme të popullaritetit të futbollit në Shtetet e Bashkuara.
“Për shkak të origjinës së Messit, marrëdhënies në futboll mes Amerikës së Veriut dhe asaj të Jugut dhe komunitetit latin në Amerikën e Veriut, mendoj se ai është lojtari i duhur, në kohën e duhur”, thotë ai.
Disa ekspertë e shohin ardhjen e Messit si pjesë të një prirjeje në rritje të lojtarëve ndërkombëtarë që zgjedhin të luajnë në Shtetet e Bashkuara.
Fernando Fiore, një komentator i ndeshjeve të Kupës së Botës dhe Ligës Amerikane të Futbollit, thotë se ka parë një rritje të popullaritetit të ligës për shkak të ardhjes së lojtarëve ndërkombëtarë.
“Ibrahimoviç dha një kontribut të jashtëzakonshëm; Gareth Bale, i cili luajti për një periudhë të shkurtër, por ndihmoi në fitimin e një kampionati. Dhe tani, po vijnë shumë lojtarë të tjerë”, thotë ai.
Trasnferimi i Messit nuk qe i lehtë. Interi i Majamit pagoi një çmim të lartë për lojtarin, i cili ka një kontratë me vlerë mes 50 dhe 60 milionë dollarë në vit. Por, ka të ngjarë të jetë një investim i mirë, pasi mbi 12 milionë shikues nga 171 vende, panë ndeshjen e tij të parë për Interin e Majamit, duke e bërë atë ndeshjen më të ndjekur të futbollit në historinë e televizionit amerikan.
Callum Williams thotë se futbolli më në fund mund të jetë gati për të arritur një popullaritet të madh në Shtetet e Bashkuara.
“Madje edhe njerëzit që nuk janë tifozë futbolli kanë thënë se futbolli është sporti i së ardhmes në këtë vend. Por ka një ndjenjë sikur e ardhmja është tani”, thotë ai.
Popullariteti i futbollit pritet të vazhdojë të rritet ndërsa në Shtetet e Bashkuara verën e ardhshme luhet turneu i Kupës së Amerikës dhe në 2026 Kupa e Botës, duke e vendosur vendin dhe sportin në qendër të hartës ndërkombëtare të futbollit.
(Zëri i Amerikës)