Çështje të emigracionit: Për ju Avokati Kiran Both
Shërbimit i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) ka nxjerrë udhëzime në manualin e rregullores së tij lidhur me ndryshimin e statusit në status F-1. Ligjet e Emigracionit (INA) u ofrojnë emigrantëve mundësinë për të kërkuar ndryshim të statusit të tyre joemigrues në një tjetër status joemigrues për të cilin kualifikohen. USCIS-i historikisht ka aprovuar ato aplikime për ndryshim statusi në F-1 të cilat bien brenda 30 ditëve nga data e fillimit të programit datë e cila tregohet në formularin I-20 (Certificate of Eligibility for Nonimmigrant Student Status). USCIS-i u ka kërkuar joemigrantëve që kërkojnë ndryshim statusi në F-1 që të aplikojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të marrin statusin joemigrues në fjalë deri në 30 ditë nga data e fillimit të programit siç tregohet në formularin I-20. Duke qenë se është e vështirë të harmonizosh gjykimin e kërkesave për ndryshim statusi në F-1 me datat e ndryshme që i korrespondojnë fillimit të programit, rregullorja e derimëtanishme ka sjellë shpeshherë nevojën për të bërë kërkesë për shtyrje të afatit, ose për të bërë kërkesë fillestare për ndryshim statusi e pasuar kjo nga shtyrje të mëtejshme të këtij statusi në mënyrë që studentit të mos i krijohet një “hendek” në status. Për të kufizuar shpenzimet qoftë të aplikantëve qoftë të qeverisë, USCIS-i nuk kërkon më që aplikanti të paraqesë aplikime të mëtejshme për shtyrje të afatit ose për ndryshim të statusit joemigrues gjatë kohës që aplikimi për ndryshim statusi në F-1 është në pritje për t’u gjykuar nga USCIS-i, gjithnjë nëse statusit joemigrues të aplikantit nuk i kishte kaluar afati kur aplikanti paraqiti kërkesën fillestare për ndryshim statusi dhe nëse ky aplikant kualifikohet për ndryshim statusi. Për të shmangur “hendekun” në status, aprovimi nga USCIS-i i ndryshimit të statusit në F-1 hyn në fuqi menjëherë në ditën e aprovimit të ndryshimit të statusit. Nëse aplikimi është aprovuar më shumë se 30 ditë përpara datës së fillimit të programit, këta joemigrantë duhet të kenë kujdes që gjatë asaj periudhe nuk do të shkelin statusin e tyre F-1. Shembull i një shkeljeje të mundshme të statusit është punësimi pa leje, qoftë ky dhe punësim brenda kampusit, më shumë se 30 ditë përpara fillimit të vitit mësimor. USCIS-i po merret me rishikimin e formularit I-539 (Application to Extend/Change Nonimmigrant Status) në mënyrë që ai të pasqyrojë ndryshimet e lartpërmendura.
Nëse dëshironi të shtyni afatin e qëndrimit në SHBA duhet që të paraqisni kërkesën përkatëse përpara se t’i kalojë afati periudhës së autorizuar të qëndrimit. Nëse qëndroni në SHBA pasi i ka kaluar afati periudhës së autorizuar të qëndrimit, mund të mos ju lejohet të riktheheni aty dhe/ose mund të dëboheni (deportoheni) nga Shtetet e Bashkuara. Mund t’ju kërkohet gjithashtu të bëni kërkesë për një vizë të re në vendin tuaj.
Mund të kualifikoheni për të aplikuar për shtyrje të periudhës së autorizuar të qëndrimit nëse:
- Ju kanë lejuar të hyni në Shtetet e Bashkuara me një vizë joemigruese;
- Viza joemigruese që keni mbetet e vlefshme;
- Nuk keni kryer ndonjë vepër penale që do t’ju skualifikonte për vizë;
- Nuk i keni shkelur kushtet që ju janë vënë kur u pranuat; dhe
- Nuk keni pasaportë të skaduar dhe ajo mbetet e tillë gjatë gjithë periudhës së qëndrimit.
Për të aplikuar duhet të mbushni formularin I-539, Application to Extend/Change Nonimmigrant Status si dhe të dërgoni tarifën e aplikimit prej $370.00, tarifën për të dhënat biometrike $85.00, dëshmi si dhe dokumentacionin në mbështetje të aplikimit në fjalë. Me të marrë formularin I-539, USCIS-i do t’ju dërgojë njoftimin përkatës. Në njoftim do të gjeni një numër nëpërmjet të cilit do të mund të ndiqni ecurinë e aplikimit tuaj, si dhe kohën e përafërt të procesimit të aplikimit. Në njoftim do të gjeni gjithashtu udhëzime lidhur me mënyrën se si duhet të veproni për të kontrolluar statusin e çështjes suaj në faqen përkatëse në internet të USCIS-it.
Përpara se të regjistrohen për të ndjekur studimet, personat që kanë status B-2 duhet të marrin status studenti F-1. Regjistrimi për të ndjekur studimet gjatë kohës që keni status B-2 konsiderohet shkelje statusi. Personat me status B-2, që kanë shkelur statusin e tyre joemigrues duke u regjistruar për të ndjekur studimet, nuk kualifikohen për shtyrje të afatit të statusit B ose për ndryshim statusi në F-1. Nuk ka përjashtime në raste të tilla. U bëjmë thirrje të gjithë studentëve apo atyre që aspirojnë për t’u bërë studentë që të punojnë nga afër me nëpunësin e shkollës që është caktuar të merret me këtë punë (DSO) për të koordinuar saktë kohën e aplikimit për ndryshim statusi me atë të regjistrimit për fillimin e studimeve.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]