Ndryshimi i statusit joemigrues 

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Përshëndetje, avokati Both. Kam ardhur në SHBA me vizë në mars, 2023. Do të dëshiroja të rrija pak më shumë se 6 muaj. Çfarë të bëj?

HJ

Nëse dëshironi të ndryshoni qëllimin e vizitës suaj në SHBA, ju vetë (ose në disa raste punëdhënësi juaj) duhet të paraqesni një kërkesë pranë Shërbimit të Emigracionit (USCIS) nëpërmjet formularit përkatës, përpara mbarimit të periudhës së qëndrimit të autorizuar. Për shembull, nëse keni ardhur këtu si turist, por dëshironi të bëheni student, duhet të aplikoni për ndryshim statusi. Ju rekomandoj që të aplikoni menjëherë sapo të vendosni që duhet të ndryshoni kategorinë e vizës në një kategori tjetër joemigruese. 

Mos e merrni të mirëqenë që statusi i ri joemigrues ju është aprovuar, pa ju ardhur vërtet aprovimi nga USCIS-i. Për shembull, nëse aktualisht jeni me vizë turistike joemigruese, mos ndiqni shkollë si student pa marrë më parë autorizimin nga USCIS-i që ju lejon ta ndryshoni statusin. Nëse nuk arrini ta ruani statusin joemigrues, atëherë mund t’ju ndalohet të riktheheni në Shtetet e Bashkuara dhe/ose mund të deportoheni nga Shtetet e Bashkuara. Statusin aktual që keni si dhe datën kur këtij statusi i mbaron afati, mund t’i gjeni në cepin e djathtë poshtë të formularit I-94, Arrival-Departure Record. Nëse nuk keni një kopje në letër të I-94-ës, informacionin e rëndësishëm të lartpërmendur mund ta gjeni në faqen e internetit të CBP-së (Dogana dhe Patrulla Kufitare e SHBA-së), në adresën elektronike www.cbp.gov/I94. Për këtë qëllim, ju nevojitet informacioni që keni në pasaportë.

Si rregull, mund të aplikoni për të ndryshuar statusin tuaj joemigrues nëse: ju kanë “pranuar” në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara me një vizë joemigruese, statusi juaj joemigrues vazhdon të jetë i vlefshëm, nuk keni shkelur kushtet e statusit tuaj dhe nuk keni kryer ndonjë krim që do t’ju kthente në të pakualifikueshëm për ndryshim statusi. Nuk është e nevojshme të aplikoni për të ndryshuar statusin tuaj joemigrues nëse jeni pranuar në Shtetet e Bashkuara për arsye biznesi (kategoria e vizave B-1) dhe dëshironi të qëndroni në Shtetet e Bashkuara për turizëm përpara se t’ju skadojë leja e qëndrimit.

Nuk nevojitet të aplikoni për të ndryshuar statusin tuaj joemigrues nëse dëshironi të ndiqni shkollën në Shtetet e Bashkuara dhe jeni bashkëshorti ose fëmija i dikujt që është pranuar në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara në njërën nga kategoritë e mëposhtme të vizave joemigruese: Si diplomat dhe punonjës apo zyrtar qeveritar (kategoria A e vizave), si investitorë dhe për arsye tregëtie ndërkombëtare (viza E ), si përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe si punonjës të tyre (viza G ), si punëtorë të përkohshëm (viza H), si përfaqësues të mediave të huaja (viza I), si vizitorë shkëmbimi (vizë J), persona të transferuar brenda të njëjtës kompani (vizë L), si studentë shkolle (vizë F) ose studentë shkolle profesionale (vizë M) (në këtë rast mund të ndiqni vetëm shkollën fillore, nëntëvjeçare ose të mesme: nëse dëshironi të ndiqni shkollën e lartë me kohë të plotë, ju duhet të aplikojë për ndryshim statusi).

Nuk mund të aplikoni për të ndryshuar statusin joemigrues në rast se përfitoni nga programi Visa waiver, si anëtar ekuipazhi (viza joemigruese D), nëse jeni tranzit në Shtetet e Bashkuara (viza joemigruese C), tranzit në Shtetet e Bashkuara pa vizë (TWOV), i fejuari ose e fejuara e një nënshtetasi amerikan ose person në ngarkim të një nënshtetasi amerikan (viza joemigruese K), informator (dhe anëtarët e familjes që e shoqërojnë) që ka të dhëna për terrorizmin apo krimin e organizuar (vizë joemigruese S).

Nëse jeni student shkolle profesionale (M-1), nuk mund të aplikoni për të ndryshuar statusin tuaj në student shkolle të zakonshme (viza F-1). Po ashtu, çdo status H (punëtor i përkohshëm), nëse trajnimi që keni marrë si student shkolle profesionale në Shtetet e Bashkuara ju ka dhënë kualifikimet që duhen për pozicionin e punonjësit të përkohshëm që kërkoni.

Nëse jeni vizitor shkëmbimi (viza J-1) mund të mos e ndryshoni statusin nëse: 

Arsyeja për të cilën ju kanë “pranuar” në Shtetet e Bashkuara ka qenë për të marrë trajnim mjekësor, përveçse kur është bërë përjashtim në rastin tuaj (ju është aprovuar një waiver).

Jeni vizitor shkëmbimi dhe ju kërkohet të përmbushni “kërkesën e banimit” në vendin nga keni ardhur, përveçse kur është bërë përjashtim në rastin tuaj.

Nëse nuk është bërë përjashtim në rastin tuaj, mund të aplikoni vetëm për të ndryshuar statusin në atë të diplomatit apo të një zyrtari tjetër të qeverisë (viza A) ose në atë të përfaqësuesit të një organizate ndërkombëtare (viza G).

Shpresojmë që informacioni më lart të jetë i dobishëm për ju. Nëse keni patur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në jetë, si martesë, natyralizim i prindit/ërve ose vëllait/motrës, ose arsye të tjera urgjente që mund t’ju bëhen pengesë për t’u kthyer në vendin tuaj, ju këshillojmë të flisni me një avokat me përvojë në fushën e emigracionit.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]