Nga Merita B. McCormack *
Washington DC!
Kam dy “librushka” të shtrenjta në raftet e mia letrare. Ato nuk mund t’i gjesh nëpër libraritë me emër, as në amazon.com. Ato jane thesare te çmuara për familjen tonë më së pari e pastaj për këdo që mund të ketë interes të mësojë origjinën dhe historinë e fisit Bajraktari në fshatin Cangonj në Devoll (Korçë) dhe historinë e një periudhe të caktuar në zonen tonë. Flitet nga koha e fillimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në mes të viteve nëntëdhjetë kur familja jonë nga një folezë e madhe, u shndërrua në disa kurora martesore e të gjithë të brezit të ri krijuan folezat e veta.
Doja që, jo vetem si vajza e Samiut, por edhe si një bashkëkombëse e tim eti por e nje brezi tjeter, e brezit im, ta falenderoja babain për plotesimin e dëshirës së fëmijëve të tij për të shkruar kujtimet e për t’i treguar gjerat ashtu si i mban mend ai, pa shtimin ose heqjen e elementeve që mund ta bëjnë ndodhinë më interesante dhe për të dokumentuar origjinën e fisit, brez pas brezi per aq sa mban mend ai nga rrefenjat e më të parëve.
Babai gjenealologjine e “ka qare”, tregon për të parin e fisit , ai që dihet, për pasardhësit e femijet e tij, për personin qe beri bëmën e madhe që na dha nofkën e mirënjohur në fshat e zonë, vazhdon me rrëfenjat e haxhillarëve, shkollarëve e bujqërve të fisit deri në beben e fundit të ditës që u botua gjenealologjia. Por gjithashtu, ne liberthin me kujtime, ai shkruan edhe per vegjeline e tij, pjekurine e parakohshme te brezit te tij, mbrojtjen nga rreziqet e luftes, largimin e Mbretit Zog përmes fshatit tonë, lotët dhe sentimentet e burrave te krahines ne ato momente. Shkruan per periudhën e veshtirë kur vendi ynë u perfshi ne L2B dhe se si e manaxhuan prindrit e tij atë periudhë. Ai nuk ankohet, nuk shan. Vetëm rreshton faktet.
Babai nuk harron te shkruajë edhe per muajt e parë të pushtetit komunist, për deshirat e femijëve, te djelmoshave e vashave të mësonin shkrim e këndim e të kontribonin në rimekembjen e vendit e rritjen e mireqenies. Ai shkoi në shkollën e atehershme katër vjeçare dhe kur u mundesua shtatëvjeçarja në fshatin Proger, i mbaroi tre vite shkollore në dy vite kalendarike. I etur për arësim, ai ndihmoi prinderit me punët e tyre si fermerë dhe pa i “dale ende mustaqja” ai morri pjesë në një trajnim të të rinjve për sanitarizimin e mjedisit dhe shume shpejt mesoi edhe gjërat elementare nga shkenxa e mjekesisë. E vleresuan mjekët, infermieret dhe kur shkoi ushtar ne Vlore, per tre vjet u trajnua edhe me shume në ate fushë. Atij shume shpejt , që në rini të hershme ia ngjiten nofken “doktor” pa qene i kualifikuar ose i liçensuar në profesion. Një diagnostikues i pagabueshëm, një dorelehtë në injeksion e një njeri i papërtuar ne çdo orë të ditës apo natës per t’i sherbyer njerëzve, babai im nuk përtoi kurrë.
Nderkohe qe ai kishte aspiratat e tij për edukim e punësim , me mbarimin e Luftes se Dytë Boterore e vendosjen e pushteti komunist, pronat, arat e kodrat e babait te tij, Nevruzit, u kolektivizuan e u rishperndanë nëpër njerezit ne menyre të barabartë. Më tej filloi kolektivizimi, ngritja me forcë e detyrim i kooperativave. Në liberthin e tij autobiografik, im atë tregon per rezistencën e familjes dhe gjithë fisit e bashkefshatareve të shumtë për t’ju bashkuar kooperativës, dhe gjithashtu edhe për kercenimet e pasojat e mos bindjes dhe marrjen e shtepisë sonë nga qeveria për ta perdorur si bujtinë për punonjesit e qytetit. Ai kujton deklasimet, varjet e vrasjet e disidenteve, e futjen e frikës ndër popull. Të gjitha keto jane ilustrime të luftës klasore.
Babai tregon dhe per jeten e tij si beqar dhe si i martuar. Martesa me nënën time, Hamidenë nga familja e kulakeve të fshatit Zemblak, shkaktoi probleme, humbje pune, humbje mundesish shkollimi, bullizim politik dhe çdo gjë tjetër që shoqëroi atë kohë .
Por në të gjithe kujtimet e tij, unë vë re një djalë e burrë të zgjuar, një kapedan, një optimist, që siç thotë edhe vetë ai e ka ndihmuar e shpetuar Zoti. Po ashtu ai nuk urreu kurrë shefat e Këshillit Poullor a sekretarët e byrove kur ja nxinin karakteristikat politike , por me durim e forcë mendohej si ta shndërronte dhimbjen në forcë, tek fshihte nga ne dhimbjet e kokës e tensionin e lartë . Ai përpiqej të gjente rrugën alternative të mundshme e pa kompromis, duke ruajtur dinjitetin dhe për të mos na plagosur ne, femijët e tij. Unë kam vënë re si në gjithë këto shkrime, babai nuk gjykon as një nga individët keqbërës, e nuk urren, por ai me gjakftohtësi e logjikë gjykon fenomenin dhe analizon shkak – pasojën, një veti që e kam parë edhe tek gjysherit e mi.
Teksa nena ime lante me lot fushat e Devollit kur ne na ndalohej ushtrimi i të drejtave tona më elementare, babai premtonte se do ja dilnim. Kur Gjyshja thoshte kjo komunizma është mort me shokë, duhet durim, ka qenë pikërisht baza e sigurtë atësore, largpamësia e tim eti, forca e tij, që mëshiron dashurinë e Zotit në familje, e cila na siguroi paqen e gëzimin e na dha shpresë për të ardhmen. E kur s’kishim drita, vaj ose bukë mjaftueshëm, babai im me gjithë nënën time, ja merrnin këngës, herë folklorike, her serenata korçare. Keshtu u rrita unë, mes dashurisë së tyre për njëri tjetrin e mes idesë që gjithmonë do ja dalim. E kur dita ish me diell e babai ishte i lirë në shtëpi, ai praktikonte bletërritjen dhe lojen e shahut. Mes vjeljes së majltit dhe lojës së shahut nuk mungonte asnjëherë humori i tij unik dhe rimat e bejtet e memorizuara. Një person jopublik, por me një mendje enciklopedike, një kujtesë e pakrahasueshme, një humor që shkakton të qeshura që degjohen në mehallë, një bashkëshort që respekton e do nënën time, një at kërkues tek fëmija, ky eshtë babi im, i rrepti shqiptar, i brishti, i dashuri, gazploti, miku e ndihmëtari i shumë njerëzve, i papërtuari, i eturi për dituri, i vuajturi, krenari ati im.
Ne kete ditlindje te tij (16 Janar), shfletoj liberzat e tij dhe herë qesh e herë mallëngjehem, e tek pergatitem të shkoj ta takoj e ta uroj, dua edhe ta falenderoj , kështu në mes lexonjësve, për gjithçka që na ka dhuruar e gjithçka na ka mësuar, por me së shumti që ka qenë e është bashkëshort i denjë në martesë (65 vjet martuar) , shembull i sakrificës, çatia e shtylla për ne , fëmijët e tij e më tej. Ngado shkonim e ngado që ngateroheshim, tek ai ktheheshim, mbaheshim e merrnim forcë. Edhe sot, asgjë s’ka ndryshuar…Sa herë e shoh ose flas në telefon e pyes , hë babi si i bëhet…dhe ai kurrë s’më le pa pergjigjen e duhur, që për mua, jo vetem si vajzë e tij , por edhe si shoqe, eshte pergjigja në prerjen e artë! I saktë në çdo detaj!
E këtë dhuratë të Zotit, në personin e atit tim në tokë, me emrin Sami Bajraktari, e dua, e çmoj dhe e vlerësoj jashtë mase!
Sot me shpirtin plot mirënjohje e uroj:
Gëzuar Ditëlindjen Babi! Të duam!