Në Alabama kryhet me azot ekzekutimi i parë i dënimit mer vdekje

Uashington, 26 janar 2024 – Në Alabama është ekzekutuar me azot vrasësi i dënuar me vdekje, Kenneth Eugene Smith. Kjo është hera e parë që azoti përdoret për këtë qëllim në Shtetet e Bashkuara.

Smith, 58-vjeçar, i ka humbur dy apelet në Gjykatën Supreme dhe në një gjykatë federale, duke thënë se ekzekutimi është mizor dhe i pazakonshëm.

Më 2022, Alabama ka tentuar ta ekzekutojë Smithin me injeksion vdekjeprurës, por ka dështuar.

Smith është dënuar më 1989 për vrasjen e Elizabeth Sennettit, me porosi të burrit të saj, i cili atëbotë isjhte predikues fetar.

Sipas Qendrës së Informacionit për Dënimet me Vdekje, Smith është personi i parë në gjithë botën që u ekzekutua duke përdorur gazin e azotit.

Alabama dhe dy shtete tjera të SHBA-së e kanë miratuar përdorimin e hipoksisë së azotit si metodë alternative për ekzekutim, pasi ilaçet e përdorura në injeksionet vdekjeprurëse janë duke u siguruar me vështirësi.

Pesë punëtorë të medias janë dërguar me kamionetë në qendrën korrektuese për të qenë dëshmitarë të ekzekutimit të Smiithit.

“Sot Alabama e kthen njerëzimin një hap mbrapa”, cituan të ketë thënë Smith para ekzekutimit.

Sipas raportimeve, para se t’i vendosej maska me gaz, Smith ka buzëqeshur dhe ua ka shprehur dashurinë familjarëve të tij.

“Faleminderit që më keni përkrahur. Ju dua të gjithëve”, citohet të ketë thënë ai.

Dëshmitarët kanë thënë se ai e ka thithur gazin për dy deri në katër minuta dhe ka marrë frymë thellë për gati pesë minuta, para se të shpallej i vdekur.

Kontakti me azotin, pa oksigjen, i shkatërron qelizat në trup dhe për pasojë një njeri vdes.

Guvernatorja e Alabamas, Kay Ivey, e cila nuk i është përgjigjur kërkesës për të parë ekzekutimin, e ka konfirmuar vdekjen e Smithit, përmes një deklarate.

“Pas përpjekjeve mbi 30 vjeçare për të luajtur me sistemin, Smith ka marrë përgjigje për krimet e tij të tmerrshme”, ka thënë ajo.

Smith ka qenë njëri prej dy burrave të dënuar për vrasjen e zonjës Sennet, për 1.000 dollarë shpërblim nga porositësi i vrasjes. Burri i saj, Charles Sennett, e kishte përgatitur skemën e vrasjes, për të përfituar nga sigurimi shëndetësor i të ndjerës. Pas përfundimit të hetimeve, ai e ka vrarë veten,.

I dënuari tjetër bashkë me Smithin, John Forrest Parker, është ekzekutuar në vitin 2010.

Gjatë gjykimit, Smith e ka pranuar se ka qenë prezent kur është vrarë viktima, por ka këmbëngulur se nuk ka marrë pjesë në sulm.

(r.m.)