Në Ambasadën amerikane në Prishtinë po zhvillohet një diskutim për Asociacionin

Prishtinë, 31 janar 2023 – Në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka nisur një diskutim lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në këtë diskutim po marrin pjesë zyrtarë shtetërorë, liderë politikë, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Ambasada amerikane, në një postim në Twitter, tha se në takim pritet të paraqiten “opinione të menduara”.

“Sot në mëngjes ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë do të mbajë një takim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Mezi presim të dëgjojmë perspektiva të menduara nga një grup i liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë dhe liderëve të ndryshëm politikë”, thuhej në postimin e ambasadës.

Të hënën në mbrëmje, kjo ambasadë bëri të ditur se pjesëmarrjen në diskutim e kanë konfirmuar edhe Presidenca dhe Kryeministria.

Presidenca ka njoftuar se në këtë takim do të marrij pjesë: Berim Vela, shef i kabinetit të presidencës, dhe Bekim Sejdiu, ekspert i jashtëm i BPRG-së.

Zyra e kryeministrit kishte njoftuar se në takim do të marrin pjesë zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilia Rexhepi dhe shefi i kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi. Në takim janë ftuar edhe ministrat: Donika Gërvalla, Nenad Rashiq, Arbërie Nagavci e Arben Vitia.

Kryeministri Albin Kurti nuk po merr pjesë në takim. 

Tri partitë opozitare: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë konfirmuar më herët pjesëmarrjen në diskutim.

Në ftesën për takim, ambasada pati thënë se nga “aksionarë të ndryshëm” pret përkrahje për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe të dëgjojë pikëpamjet e tyre lidhur me Asociacionin ekomunaveme shumicë serbe në Kosovë.

“Ne jemi duke organizuar këtë diskutim në përputhje me synimet tona afatgjate për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike dhe si reflektim për miqësinë tonë të kamotshme dhe përkrahjen për qytetarët e Kosovës. Ngjarja do të mbahet sipas rregullit ‘chatham house’”, thuhej në letër.

Nën rregullin “Chatham House”, të pranishmit janë të lirë të përdorin informatat nga diskutimi, por nuk u lejohet të zbulojnë se kush çfarë komenti ka bërë.

Një ditë para diskutimit, Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit, dhe Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, në një kolumne ekskluzive për KOHËN, kanë thënë se Asociacioni nuk nënkupton shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

(r.m.)