Në banesën e një serbi në veri, gjenden armë, municion, pajisje për kultivimin e kanabisit dhe për kriptovaluta

Prishtinë, 7 gusht 2023 – Policia e Kosovës ka zbuluar e sekustruar armë, municione, pajisje për kultivimin e kanabisit dhe për prodhimin e kriptovalutave në banesën e një qytetari serb, në lagjen “Tre Rrokaqiejt”, në Mitrovicë të Veriut.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka njoftuar se shfrytëzuesi i banesës, me inicialet S.M., , pjesëtar i komunitetit serb, nuk ka qenë në banesë në kohën e kryerjes së kontrollit.

“Pas informacioneve të pranuara nga sektori për luftimin e narkotikëve Mitrovicë Veriore, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Veri ka kryer një kontroll në një banesë në rrugën e Kollashinit, saktësisht në katin 11, tek ‘Tre Rrokaqiejt. Në banesën që është shfrytëzuar nga S.M. (Kosovar serb) janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llampë elektrike për laborator, 51 fishekë, 8 shok bomba të modifikuara”, ka thënë Elshani.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka përshëndetur aksioni  policisë. Ai ka thënë se ky aksion është dëshmi e përkushtimit të organeve të sigurisë së Kosovës për luftimin e veprimtarive kriminale në pjesën veriore të Kosovës.

“Është një dëshmi më shumë për sulmet ndaj zyrtarëve tanë policorë,  pjesëtarëve të KFOR-it e EULEX-it, gazetarëve dhe qytetarëve të zakonshëm.

Është dëshmi lidhur me kontingjentin e kriminelëve argatë të idesë fashiste të Vuçiqit: bota serbe. Bota serbe është gjithnjë e dizajnuar mbi krimin.

Është dëshmi e arsyes së vërtetë se përse Vuçiqi dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar”, ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se rendi dhe siguria në pjesën veriore të Kosovës jan sfdar me vite nga ekstremistët dhe kriminelët ordinerë që kanë mbështetjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Për vite me radhë, në veri shteti është sfiduar nga ekstremistë e kriminelë ordinerë. Ata kanë patur dy motive: pasurimin e jashtëligjshëm dhe luftimin e shtetit të Kosovës. Adresa, shtysa dhe financimi gjithmonë mbetet në Beograd, ku Vuçiqi me bandat e kriminelët e tij ka tentuar dhe vijon të tentojë minimin dhe destabilizimin e shtetit tonë”, ka thënë Sveçla.

Sipas tij, situata në pjesën veriore tani po shkon drejt normalitetit.

“Veriu po ecën drejt normalitetit. Serbia nuk do ta cenojë shtetin tonë në asnjë cep të vendit”, ka theksuar ai.

(r.m.)