Në BE nuk ka pajtim lidhur me ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë

Bruksel, 27 shtator 2022 – Negociatat për planet e ashpërsimit të sanksioneve të BE kundër Rusisë paraqesin vështirësi. Në bisedimet e para të Komisionit Europian me shtetet anëtare, Hungaria dhe Qiproja kanë refuzuar një kufizim të çmimit për naftën ruse, bëhet e ditur nga Brukseli.

Pas shpalljes së mobilizimit të pjesshëm në Rusi nga ana e presidentit Putin, ministrat e Jashtëm të BE dhe të shtatë vendeve lidere demokratike ekonomike, (G7) javën e kaluar njoftuan pë sanksione të tjera kundër Moskës. Kufizimi i çmimit të naftës duhet të ishte baza e tyre. Një limit për çmimin do të bënte që Rusia të ndalte furnizimet.

Kreu i qeverisë hungareze, Viktor Orban, ka bërë përgjegjëse masat ndëshkuese të BE për rritjen masive të çmimeve për konsumatorët. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, në konferencën vjetore të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike në Vjenë, kritikoi “pengesat për investime në sektorin nuklear”.

Hungaria kërkon të ndërtojë dy reaktorë atomikë në bashkëpunim me koncernin rus ‘Rosatom’.

Qiproja, nga ana e saj, do të mbrojë kompanitë e lundrimit që furnizojnë me naftë ruse vende të treta.

Gjermania, ndër të tjera, punon në Bruksel për fundin e bashkëpunimit nuklear me Rusinë.

Të gjitha sanksionet kundër Rusisë kërkojnë vendim unanim të vendeve anëtare.

Po ashtu vendet e BE kërkojnë një kurs të përbashkët për mënyrën e veprimit me ata rusë që nuk duan të shkojnë në luftë në Ukrainë dhe e braktisin vendlindjen. Një takim krize i 27 i ambasadorëve të vendeve anëtare nuk solli asnjë zgjidhje.

Presidenca çeke ka bërë të ditur se Komisionit Europian i ka kërkuar që rregulloret për dhënien e vizave “t’i verifikojë, t’i vlerësojë dhe t’i aktualizojë, duke marrë në konsideratë shqetësimet e sigurisë së vendeve anëtare”.

Pasi vendimit të Rusisë për mobilizim të pjesshëm të popullsisë, Gjermania e disa vende të  tjera kërkojnë një qëndrim të përbashkët të BE-së për trajtimin e dezertorëve rusë. Por, qëndrimet e vendeve anëtare të BE-së janë të largëta. Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, premtoi azil për dezertorët rusë. Vendet e tjera, si ato baltike dhe Polonia, e refuzojnë këtë në mënyrë kategorike.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrileius Landsbergis, tha se Lituania nuk do t’u ofrojë azil atyre “që i ikin përgjegjësisë”.

“Rusët duhet të qëndrojnë dhe të luftojnë kundër Putinit”, ka shkruar Landsbergis në Twitter.

(DW)