Bruksel,27 tetor 2021 – 64 të arrestuar (shumica shqiptarë), një milion euro cash, qindra mijëra kg kokainë dhe dhjetra e qindra pasuri, makina luksoze të sekuestruara. Ky është rezultati i një operacioni të madh policor të zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit në Belgjikë.
Në operacionin e zhvilluar në rajonin e Brukselit dhe të Antverpit. janë angazhuar mbi 1100 efektivë të policisë, të cilat kanë kryer bastisje e kontrolle në mbi 100 shtëpi.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 mkilion euro cash, 57 makina dhe mallra luksoze të markave më të njohura botërore.
Banda ishte e pajisur me të gjitha llojet e pajisjeve, si: dronë, gjurmues GPS, bllokues dhe motorë shtytës për zhytës.
Sipas të përditshmes “De Standaard”, një nga drejtuesit e bandës është algjeriani Abde;wahab G., i cili në vitin 2006 kontrabandoi katër tonë kokainë në Belgjikë. Ai u shpall i pafajshëm në vitin 2008, për shkak të një gabimi procedural.
Në mesin e të dyshuarve janë edhe disa kolumbianë.
Ka gjithashtu indikacione të forta se banda qëndron pas një vrasjeje të pazbardhur të një shqiptari në Bruksel.
Lidhja me ‘Ndrangheta’
Rrjeti kriminal e importonte kokainën nga Amerika e Jugut me kontejner detar ose me avion privat. Droga më pas eksportohej në Itali, Gjermani, Suedi, Britani të Madhe, Francë, Holandë dhe Portugali. Policia dyshon se banda ka lidhje me ‘Ndrangheta, mafia kalabreze, në Itali.
Si u zbulua rrjeti shqiptar?
Rrjeti kriminal tërhoqi vëmendjen e autoriteteve belge përmes mesazheve që anëtarët e bandës shkëmbenin njëri-tjetrit përmes platformave më të sigurta dhe të koduara si Sky EÇ dhe Encrochat. Ky komunikim i deshifruar rezultoi në 4 aksione të mëdha policore në Belgjikë vetëm gjatë javës së kaluar. Sipas sistemit belg të drejtësisë, mesazhet e koduara të Sky EÇ kanë çuar në gjithsej 275 hetime. Janë arrestuar 455 të dyshuar. Gjithashtu janë ekspozuar kanale të ndryshme të pastrimit të parave, veçanërisht përmes parajsave fiskale.
77.000 kilogramë kokainë
Në raportimin për operacionet e Sky EÇ, policia raporton gjithashtu se 77,000 kilogramë kokainë janë sekuestruar në Belgjikë deri më tani këtë vit.
(Panorama.com.al)