Beograd, 5 janar 2023 – Gazetari Vladan Radosavleviq (62) ka vdekur, ndërsa gruaja e tij Olga (58) ka pësuar plagë të rënda nga kafshimet e qenve, të mërkurën në mbëmje, në Beograd.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në afërsi të vilës së tij në paralagjen Kosmaj.
Radosavleviq është sulmuar nga qentë dhe e ka thirrur në ndihmë edhe gruan e tij, e cila është trajtuar në Qendrën Emergjente, prej nga është transferuar në Klinikën Infektive.
Në raportimet fillestare thuhej se çifti Radosavleviq ështësulmuar nga një tufë qenësh endacakë, por autoritetet kompetente konstatuan se ata u sulmuan nga tre qenë me pronarë të njohur. Të tre qentë janë në regjistrin e qenve nën përkujdesje.
Drejtori i ndërmarrjes publike “Veterina Beograd”, Budimir Grubiq, ka thënë se një prej qenve është i racës Stafford, një tjetër është kryqëzim i racave Stafford dhe Pitbull, kurse I treti është kryqësim i më shumë racave.
Ai thekson se pronarët janë të obliguar t’i mbajnë lidhur dhe t’u vendosin shportë mbrojtëse. Për qentë e racave të mëdha nuk mund të përkujdesen personat nën 18 vjeç dhe personat e dobët fizikisht.
Autoritetet kanë thënë se po bëhen hetime lidhur me këtë ngjarje tragjike.
(r.m.)