Beograd, 22 shkurt 2023 – Në Beograd është shënuar 15 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, në postimet e tyre në Facebook, ka njoftuar se shënimi i këtij përvjetori është bërë në Zyrën e Kosovës në Beograd, me ftesë të shefit të saj, ambasadorit Jetish Jashari.
Ai ka bërë të ditur se në këtë ngjarje solemne kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike në Luginë të Preshevës, përfaqësues të misioneve diplomatike të akredituara në Serbi dhe përfaqësues të disa organizatave të shoqërisë civile nga Serbia.
“Me ftesë të ambasadorit, Sh. T. Z. Jetish Jashari, për herë të parë u shënua përvjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës në Beograd, në 15 vjetorin e saj!
Përveç përfaqësuesve institucional e politik të Luginës së Preshevës, prezent ishin edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Beograd, e përfaqësues të misioneve diplomatike ndërkombëtare.
Emocion i veçantë. Gëzuar Kosovë! 🇽🇰”, ka shkruar Mustafi.
Për këtë ngjarje të veçantë për Kosovën ka njoftuar edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Kjo është hera e parë që në Serbi shënohet një përvjetor i pavarësisë së Kosovës.
(r.m.)