Beograd, 15 mars 2025 – Mbi njëqindmijëra qytetarë nga mbarë Serbia, të revoltuar me qeverisjen e vendit, kanë marrë pjesë në protestën “15 në 15 – ju presim!”, në Beograd, e cila vlerësohet si njëra nga protestat më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në Serbi, nëse jo edhe më e madhja deri më sot.
Kjo protestë, e cila ishte pika kulmore e protestave që kanë nisur që në muajin dhjetor të vitit të kaluar, pas shembjes së një strehe të stacionit të trenit në Novi Sad, ku e humbën jetën 15 qytetarë, u organizua nga organizatat e studentëve të universiteteve publike në Serbi. Ajo tashmë ka fituar përkrahje shumë të madhe popullore anembanë Serbisë që sundohet nga një klasë politike e korruptuar, e udhëhequr nga presidenti autokrat Aleksandar Vuçiq.
Programi kryesor i protestës u zhvillua në sheshin “Slavia”. Ishte planifikuar që ky program të zhvillohej para ndërtesë së Kuvendit të Serbisë, por u zhvendos në sheshin “Sllavija” për arsye sigurie, sepse aty ishte vendosur grupi i mbështetësve të pushtetit, të cilët e quajtën veten “mbrojtës” të institucioneve shtetërore të Serbisë.
Protesta u zhvillua në një atmosferë të tensionuar nga Presidenti Vuçiq dhe vartësve të tij, të cilët prej disa ditësh kanë punuar me të gjitha kapacitetet për të njollosur lëvizjen studentore në Serbi.
Qendra e Beogradit ishte blinduar nga forcat policore
Forca të mëdha të policisë ishtin vendosur rreth ndërtesës së Presidencës së Serbisë dhe në parkun para presidencës, ku ishin vendosur mbështetësit e Vuçiqit. Disa protestues u kanë bërë thirrje policëce që t’u bashkohen prtotestës së studentëve dhe qytetarëve që kërkojnë ndryshime në Serbi.
“Ejani me ne. Ne ju duam, ju jeni tanët”, u kanë thë protestuesit policëve.
Mediet e pavarura raportojnë se disa pjesëtarë të xhandarmërisë janë solidarizuar me protestuesit, të cilët i kanë përshëndetur me dorë.
Por, në disa lokacione raportohet se ka pasur incidente dhe përplasje mes disa prej pjesëmarrësve të protestës dhe pjesëtarëve të policisë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, disa protestues i kanë sulmuar pjesëtarët e policisë duke tentuar, siç thuhet, “t’i pengojnë në kryerjen e detyrës dhe të shkaktojnë trazira më të mëdha”.
Sipas ministrisë, zyrtarët policoeë i kanë ndërmarrë “të gjitha masat dhe veprimet që janë në juridiksionin e tyre për të parandaluar përshkallëzimin e incidenteve” dhe për të ruajtur rendin dhe qetësisë publike, si edhe sigurinë e qytetarëve.
Kundërprotestë e mbështetësve të Vuçiqit në parkun para Presidencës së Serbisë
Ndërkaq, në parkun para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë, që prej dhjetë ditësh, janë vendosur një grup mbështetësish të qeverisë dhe të presidentit Aleksandar Vuçiq, të cilët janë prezantuar si pjesëtarë të organizatës “Studentët 2.0”. Ata kundërshtojnë protestat e studentëve, me arsyetim se gjoja duan të kthehen në universitete për të vazhduar studimet.
Midis tyre ishte edhe një grup i veteranëve të njësisë paraushtarake serbe “Beretat e Kuqe” që kanë marrë pjesë në luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë, ku janë kryer krime macabre lufte. Midis tyre ishin edhe ish gjenerali i ushtrisë serbe, Vlladimir Llazareviq, i dënuar për krime lufte në Kosovë, dhe ish-komandanti i xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq – Guri, i cili konsiderohet urdhërdhënës për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanëve të vrarë në vitin 1999 në një kamp stërvitor të policisë serbe në afërsi të Beogradit.
Qindra oficerë policie, të pajisur me të gjitha pajisjet për përballimin e situatave të jashtëzakonshme, ishin vendosur që në orët e para të mëngjesit përreth parkut ku janë stacionuar mbështetësit e regjimit të Vuçiqit.
Vuçiq: “Nuk do të lejoj që rruga të përcaktojë rregullat në këtë vend”
Një ditë para protestës, presidenti Aleksandar Vuçiq, tha se ai “nuk ka frikë nga asgjë” dhe se nuk do të lejojë që “rruga të diktojë kush do të qeverisë”.
“Unë nuk u nënshtrohem shantazheve dhe presioneve. Unë jam president i Serbisë dhe nuk do të lejoj që rruga të përcaktojë rregullat në këtë vend”, tha ai.
Vuçiq e hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e formimit të qeverisë kalimtare në Serbi deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Nuk do të ketë qeveri kalimtare apo mashtruese derisa të jem gjallë”, tha ai.
Ndërkaq, të shtunën, pak para protestës në Beograd, Vuçiq ka shprehur besimin se protestat nuk do ta cenojnë paqen dhe stabilitetin në Serbi.
“Jam i bindur që sot do ta përballojmë gjithë presionin, sulmet dhe do të ruajmë paqen dhe stabilitetin. Dhe më pas do të fitojmë në të ardhmen”, ka shkruar Vuçiq në një postim në Instagram.
“Njerëzit kanë ëndrra të ndryshme. Disa ëndërrojnë për të shkatërruar diçka apo dikë, disa ëndërrojnë të ndërtojnë. Besoj se shumica e shtetasve serbë duan të ndërtojnë një Serbi më të mirë dhe më të suksesshme”, ka thënë Vuçiq të shtunën.
Autoritetet pengojnë hyrjen në Serbi të disa gazetarë të huaj
Mediet në Serbi kanë raportuar se autoritetet serbe nuk e kanë lëjuar hyrjen në Serbi të disa gazetarëve të huaj që kishin qëllim të raportonin për protrestën e sotme në Beograd.
Shoqata e Gazetarëve të Serbisë (UNS) u bëri thirrje autoriteteve shtetërore që t’i lejojnë gazetarët e huaj të hyjnë në vend dhe të kryejnë punën e tyre në mënyrë të papenguar.
“Gazetares së RTL-së nga Kroacia, Iva Anzulloviq, sot iu ndalua hyrja në Serbi dhe u kthye nga pika kufitare me arsyetimin se përbënte kërcënim për sigurinë. Policia serbe ka penguar edhe hyrjen në vend të gazetarit slloven të POP TV-së, Marko Gregorac”, thuhet në deklaratën e shoqatës së gazetarëve të Serbisë.
Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike (ANEM) është informuar se së paku dy ekipe gazetarësh nga Kroacia janë penguar të hyjnë në Serbi.
Ndërkaq, mediet proqeveritare në Serbi, e kanë minimizuar deri në apsurd ose e kanë heshtur plotësht protestën e sotme, pavarësisht përmasave të saj apo motivacionit. Në kohën e protestës, televizionet pro-qeveritare “Prva” dhe “Pink” kishin ftuar në studio “analistë” që i njollosnin udhëheqësit e organizatave studentore që po organizojnë protesta dhe figurat publike që po i mbështesin publikisht kauzat e studentëve, duke i etiketuar edhe si “argatë të shërbimeve të huaja” që duan ta rrëzojnë Vuçiqin nga pushteti.
(r.m.)