Në Bruksel, ka nisur takimi trepalësh për targat

Bruksel, 23 nëntor 2022 – Në selinë e Bashkimit Evropian, në Bruksel, ka nisur takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisw, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Këtë e bëri të ditur vetë Lajçak.

Në një njoftim në Twitter, Lajçak ka thënë se pret që në këtë takim të arrihet një zgjidhe përfundimtare për targat e automjeteve gjë që do të ndikonte në uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dh mes dy shteteve.

“Sot po pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë si vazhdim i takimit tonë të nivelit të lartë. Shpresa ime e sinqertë është se ne do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje sot për të de-përshkallëzuar tensionet në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçak.

“Bisedimet po vazhdojnë”, ka shtuar ai.

Zbatimi i fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia është shtyrë  për 48 orë, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në kërkesën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thuhej se gjatë kësaj kohe palët do të bëjnë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për targat.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se ambasadori Hovenier është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave.

(r.m.)