Bruksel, 21 tetor 2021 – Në Bruksel ka filluar sot takimi i parë i grupit punues për targa ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë e ka konfirmuar përmes një prononcimi edhe i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, duke thënë se pret që në një periudhë prej gjashtë muajsh të ketë një propozim konkret.
“Sot në mëngjes në Bruksel mirëprita delegacionet e ekspertëve për takimin e parë të grupeve punuese për targat, siç ishim pajtuar më 30 shtator. Grupi i kryesuar nga këshilltarët e mi do të takohet rregullisht. Besoj se ata do të prezantojnë gjetjet konkrete brenda gjashtë muajsh”, ka shkruar Lajçak në njoftimin e tij.
Vendimi për të formuar grupin punues për targat ishte rezultat i takimeve së fundi që ekipet negociuese patën në Bruksel me të dërguarin e Posaçëm për dialog, Lajçak, në kohën kur kishin shpërthyer tensionet për shkak të vendosjes së masave të reciprocitetit. Atëherë u gjet një zgjidhje e përkohshme për të mbuluar me letër ngjitëse pjesët e targave ku janë simbolet shtetërore dhe që kjo të vlejë për të dyja vendet.
Kosova tërhoqi pastaj njësitë speciale të policisë nga pikat e kalimeve kufitare, ndërsa serbët hoqën bllokadat nga rrugët.
Por, pas kësaj ishte thënë se ajo është vetëm një zgjidhje e përkohshme dhe ndërkohë grupet punuese të palëve, me ndihmën e ekspertëve të BE-së, do të takohen për të gjetur një zgjidhje të përhershme.
(REL)