Takimi Kurti-Vuçiq përfundon pa asnjë përparim. Të dy e fajësojnë njëri-tjetrin

Bruksel, 14 shtator 2023 – Në Bruksel ka përfunduar pa asnjë përparim takimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dy palët e kanë fajësuar njëra-tjetrën për mungesë të vullnetit për marrëveshje, por secila ka parashtruar kërkesat e saj. Vuçiq e ka kushtëzuar përmbushjen e obligimeve të saj me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa Kurti e ka kundështuar çfarëdo kushtëzimi.

Presidenti serb, e ka fajësuar Kurtin për mungesë të progresit në dialog. Sipas tij, Serbia e ka pranuar “kompromisin” e propozuar nga BE-ja, por Kurti e ka refuzuar atë.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona – shqiptarët i kanë të tyre, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve.

I pyetur se cili ishte propozimi i BE-së, Vuçiq ka thënë se propozimi ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Nga përgjigja e tij kuptohet se ai e ka kushtëzuar përmbushjen e obligimeve të dala nga Marrëveshja Bazë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve me formimin e Asociacionit.

“Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar”, është shprehur ai.

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, ka theksuar ai.

Vuçiq ka reguar se në takim është diskutuar edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ai ta tënë se do të japë “gjithçka nga vetja” që serbët të marrin pjesë në procesin e ri zgjedhor, “në qoftë se kryetarët shqiptarë japin dorëheqje”.

Presidenti serb ka thënë se pas asaj që ka dëgjuar në takimin me Kurtin është “jam edhe më i shqetësuar për pozitën e popullit serb në Kosovë”

“Jam edhe më i shqetësuar për pozitën e popullit serb në Kosovë, pas gjithçkaje që pashë dhe dëgjova sot”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai e ka kundërshtuar kategorikisht kushtëzimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë për normalizim, të pranuar nga dy palët në Bruksel, në muajin mars.

“Nuk jemi në prillin e vitit 2013 kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq. S’është marrëveshja e vitit 2013. Neni 10 i marrëveshjes bazike thotë qartë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme, të arritura gjatë dialogut në Bruksel,  të cilat janë të obligueshme dhe valide. Janë gjithsej39 sosh. Nuk mund të përzgjidhet një nga 39 marrëveshjet e të vendoset sikur qerrja para kuajve. Nuk mund të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

“Ta vendosësh Asociacionin në qendër është në kundërshtim me Marrëveshjen Bazike që e kemi pranuar e lansuar më 27 shkurt dhe që është bërë pjesë e konkluzioneve”, ka shtuar ai.

Kurti ka thënë se propozimi i Serbisë, i dorëzuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, është i vjetër të paktën gjashtë muaj.

“Vlerësimin më të saktë do të mund ta bëjë cilido prej jush, pasi të lexojë propozimin tonë, hapat që duhet ndjekur e edhe kushtëzimin që e paska dhënë Beogradi para 6 muajsh. Dokumenti s’ka datë, por është e qartë se dokumenti është shkruar para se të bëhet Marrëveshja e Ohrit”, është shprehur ai.

“Kur unë kërkova që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia se mu tha se ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje të sjellin”, ka thënë ai.

Kurti ka shprehur keqardhje që emisari Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe tani e shtron si kërkesë të Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se i vjen keq që Lajçaku e ka pranuar një kushtëzim të tillë.

“Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe kushtëzimin nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues… Unë s’mund ta pranoj një gjë të tillë për të cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam”, ka theksuar ai.

Kurti ka treguar se ai ka dorëzuar sekuencimin dhe zbatimin e pikave të Marrëveshjes Bazë.

“Secilin nga 11 nenet e Marrëveshjes, secilën fjali dhe secilën pikë jam i gatshëm dhe i interesuar ta zbatojmë një orë e më parë, në plotëni”, ka theksuar Kurti.

Kurti e Vuçiq u takuan në praninë e përfaqësuesit të lartë të Bshkimit Evropian për politikë të jashtme, Joseph Borrell, dhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak. Takimi trepalësh u zhvillua pas takimeve të veçanta të dy palëve me Borrelin e Lajçakun.

Takimi u zhvillua në kohën që në pjesën veriore të Kosovës, ku serbët e përbëjnë shumicën janë ulur pak tensionet që kishin eskaluar në muajin maj, pas protestave të serbëve kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore në zyrat e komunave.

Kryetarët shqiptarë janë zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat janë  bojkotuar nga serbët, me rekomandim të Beogradit zyrtar.

Më 29 maj, protestuesit serbë kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it, policinë e Kosovës dhe gazetarët. Dhjetra pjesëtarë të KFOR-it kanë mbetur të plagosur.

(r.m)