Në Cetinje vriten dymbëdhjetë persona, midis tyre edhe dy fëmijë

Cetinje (Mal i Zi), 1 janar 2025 – Dymbëdhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në pasditen e 1 janarit në Cetinje të Malit të Zi, ka bërë të ditur prokurorja Andrijana Nastiq pas ekspertizës.

I dyshuari për vrasje të shumëfishtë dhe plagosje, Aco Martinoviq, ka tentuar të bëjë vetëvrasje dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Vrasjet kanë ndodhur në pesë lokacione të ndryshme – në lokacionin e parë dhe të dytë janë vrarë katër persona, në të tretin dy fëmijë, ndërsa në lokacionin e katërt dhe të pestë nga një person.

Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme në mesnatë se motivi i vrasjeve është i panjohur, pasi në mesin e viktimave ishin miq dhe kumbara e Martinoviqit.

Ai është thënë t’i ketë vrarë katër personat e parë në një lokal, pas një zënke që i kishte paraprirë një shoqërimi disaorësh.

Katër persona janë dërguar në Qendrën Klinike të Podgoricës, sipas drejtorit të këtij institucioni, Aleksandar Radoviq.

Ai ka thënë se dy burra dhe një grua janë në gjendje stabile, ndërsa pacienti I katërt është në gjendje shumë të rëndë, dhe është operuar në mëngjes.

Kryeministri malazez, Millojko Spajiq e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme.

Ai ka paralajmëruar ashpërsimin e kritereve për mbajtjen e armëve.

“Do të shqyrtojmë ndalimin e plotë të mbajtjes së armëve,” ka thënë Spajiq.

Martinoviq ishte dënuar me një vit burgim me kusht në vitin 2005 për sjellje jo të mirë, por nuk është konsideruar si person me interes për sigurinë, ka thënë ministri Sharanoviq.

Ai ka treguar se në vitin 2022 tek ai janë gjetur armë dhe eksploziv, për çka është dënuar në shkallën e parë me tre muaj burgim.

Qyteza e Cetinjes është rreth 30 kilometra larg Podgoricës.

Qeveria e Malit të Zi i ka shpallur tri ditë zie, më 2,3 dhe 4 janar, për shkak të këtij rasti.

Koncertet për shënim të Vitit të Ri janë anuluar në Podgoricë, Budvë dhe Kotor, ndërsa kryeministri Spajiq u ka bërë thirrje edhe komunave tjera që t’i anulojnë organizimet e jashtme.

Presidenti i Malit të ZI, Jakov Millatoviq, ka thënë se është i tronditur nga tragjedia në Cetinje dhe lutet që të plagosurit që të shërohen shpejt.

Ambasada amerikane në Mal të Zi është shprehur gjithashtu e tronditur.

“U shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe urojmë shërim të shpejtë për të plagosurit. Jemi me mendje me qytetarët e Cetinjes dhe gjithë Malit të Zi në këto kohë të vështira”, ka thënë ambasada përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Ky është rasti i dytë i vrasjes masive në Cetinje në dy vjetët e fundit.

Në gusht të vitit 2022, Vuk Boriloviq pati vrarë 10 persona dhe pati plagosur gjashtë të tjerë, dhe më pas është vrarë.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*