Çikago, 21 gusht 2024 – Një numër i madh demonstruesish pro-palestinezë u arrestuan të martën pas përleshjeve me policinë, gjatë një proteste që filloi jashtë konsullatës izraelite e përfundoi në rrugët e Çikagos, ndërsa në qytet po mbahej dita e dytë e Kuvendit Kombëtar Demokrat.
Përplasjet intensive me policinë nisën disa minuta pas fillimit të demonstratave. Disa protestues – shumë prej tyre të veshur me të zeza, e me fytyra të mbuluara – sulmuan një kordon policie që nuk po lejonte turmën që të marshonte.
Ata arritën t’i kalojnë policët, por disa herë gjatë natës forcat e sigurisë arritën t’i bllokojnë protestuesit.
Dega e Çikagos, e Shoqatë Kombëtare të Avokatëve, një organizatë e majtë, progresiste, njoftoi se të paktën 72 persona ishin arrestuar.
Një pjesë e madhe e arrestimeve u kryen pak përpara mesnatës, ndërsa policia kishte rrethuar në një shesh demonstruesit që kishin mbetur – disa prej të cilëve thanë se po përpiqeshin të shkonin në shtëpi.
Kryeinspektori i policisë Larry Snelling hodhi poshtë akuzat se forcat e sigurisë i kishin ‘rrethuar’ protestuesit, sipas një taktike që përfshin grumbullimin e demonstruesve në një zonë të mbyllur, një praktikë kjo e ndaluar me vendim gjykate.
Zoti Snelling, i cili ka qenë i pranishëm në të gjitha demonstratat e mëdha gjatë kuvendit, vlerësoi punën e policisë në mënyrën se si i ka trajtuar protestat, duke shtuar se përgjigjja e forcave të sigurisë ka qenë ajo që duhej.
“Ka patur njerëz që dolën në protestë për të kryer akte dhune”, u tha ai gazetarëve të martën vonë në mbrëmje. “Ata donin kaos”, shtoi ai.
I pyetur për të dhënë detaje mbi aktet e dhunës, ai tha se demonstruesit kishin marshuar drejt oficerëve të policisë dhe u përpoqën të çajnë kordonin policor.
Ai nuk pranoi të jepte të dhëna mbi numrin e personave të arrestuar duke thënë se nuk kishte një shifër përfundimtare.
Më herët gjatë mbrëmjes, disa demonstrues i vunë flakën një flamuri amerikan në rrugë, rreth 3.2 kilometra larg vendit ku po mbahet Kuvendi Kombëtar Demokrat.
Mbështetësit e Izraelit, mes tyre disa të afërm të personave të rrëmbyer nga Hamasi, u mblodhën më herët gjatë ditës në një instalacion arti pro-izraelit, jo shumë larg konsullatës, për t’u bërë thirrje udhëheqësve amerikanë që të vazhdojnë të mbështesin Izraelin dhe të bëjnë presion për lirimin e pengjeve.
Drejtor ekzekutiv i Këshillit izraelito-amerikan Elan Carr, dënoi protestuesit pro-palestinezë që u mblodhën në Çikago, për ato që i quajti pikëpamje ekstremiste të tyre dhe u bëri thirrje udhëheqësve amerikanë që “të qëndrojnë pa mëdyshje me shtetin e Izraelit”.
Protesta të tjera janë planifikuar të mbahen në Çikago gjatë gjithë javës. Megjithatë, pjesëmarrja në tubimin kryesor të së hënën ishte shumë më e ulët sesa kishin vlerësuar fillimisht organizatorët e tyre, që kishin parashikuar më shumë se 20,000 personave.
Zoti Snelling tha se të hënën kishte rreth 3,500 protestues, shumica dërrmuese e të cilëve, ishin paqësorë.
(Zëri i Amerikës)