Në Davos Lajçaku takon ndaras Kurtin e Vuçiqin

Davos, 18 janar 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, takoi ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Takimet me dy liderët, më 18 janar, Lajçaku i zhvilloi ndaras në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Lajçak shkroi në rrjetin social Twitter se gjatë takimit me Kurtin diskutuan “për hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale”.

Edhe në takimin e tij me Vuçiqin, u tha se u diskutua për situatën në rajon dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Sipas zyrës së Kurtit, në takim u diskutua për dialogun dhe “nevojën për dinamizim të procesit drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”.

(REL)