Në Derviçan u zbulua busti i Kostandinos Mitsotakisit, babait të kryeministrit aktual grek Kyriakos Mitsotakis

Tiranë, 27 tetor 2023 – Në Derviçan të Gjirokastrës të premten u zbulua busti i ish kryeministrit të Greqisë, Kostandinos Mitsotakis, babit të kreut aktual të qeverisë greke, Kyriakos Mitsotakis. Ai ishte i pari kryeministër grek që e vizitonte Shqipërinë dhe Derviçanin, zonë e banuar nga minoritarë grek, afër 33 vjet më parë.

Kur në dhjetor të vitit të kaluar, ishte në Shqipëri dhe vizitoi edhe zonat minoritare, kryeministri aktual Kyriakos Mitsotakis, kishte premtuar se do të rikthehej kur të vendosej busti i babait të tij dhe sheshi i fshatit do të merrte emrin e tij. Por, kjo nuk ndodhi. Në ceremoni ishin të pranishëm Dimitris Avramopoulos, ish zëvendëspresident i Komisionit Europian e deputet i partisë Demokracia e Re të zotit Mitsotakis dhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri.

Mungesa e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në këtë ceremoni është pasojë e tensioneve midis Greqisë e Shqipërisë lidhur me arrestimin e kryetarit të zgjedhur në bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. Athina zyrtare e cilëson dhe si shkelje e të drejtave të minoritetit grek mbajtjen e tij në arrest dhe akuzat  për shit-blerje të votes.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehu keqardhje që në ceremoni nuk ishte i pranishëm kryeministri i Greqisë.  

“Do kisha dëshiruar shumë që sot të ishte këtu dhe Kiriakos Mitsotakis, djali i Kostandinosit, kryeministri i sotëm i Greqisë dhe miku im i dashur, por me siguri edhe ai do të rikthehet në këtë shesh, aq më tepër që ua ka premtuar, ku që nga sot, sheshi mban emrin e të atit”, tha zoti Rama në fjalën e tij, transmetoi Zëri i Amerikës.

Rama nuk e përmendi çështjen “Beleri”,  por tha se ndjehet krenar që Shqipëria, siç u shpreh, “është një vend ku minoritetet gëzojnë me ligj dhe me zakon të drejtat e barabarta me shqiptarët etnikë dhe ku asnjë hall, asnjë problem, asnjë shqetësim nuk ndryshon nga hallet, problemet, shqetësimet e të gjithë qytetarëve të Republikës sonë, por po ashtu nuk ndryshojnë as shkalla e vëmendjes, kujdesit dhe e përpjekjeve tona për t’i adresuar hallet, problemet dhe shqetësimet me të njëjtin pasion dhe angazhim si në Tiranë e në Tropojë e si në Dropull, si në Durrës”.

Rama theksoi se pakica greke është “një pasuri e çmuar, një urë e pazëvendësueshme fqinjësie të mirë me Greqinë, një lidhje e pandashme mendjesh e zemrash mes popujve, e cila, jo vetëm nuk këputet kurrë brenda njerëzve, por as nuk dobësohet dot, kur politika hyn në mes tyre së prapthi me tekat dhe arsyet e mos arsyes së saj”.

Ai i cilësoi si “politika eketorale” reagimet e Greqisë lidhur me rastin “Beleri” dhe shprehu besimin se mosmarrëveshjet midis Greqisë dhe Shqipërisë janë të tejkalueshme.

“Fatkeqësisht, hera-herës, politika elektorale me nevojat e saj jodomethënëse për fatet e vendeve dhe të popujve tanë e trazon edhe rrjedhën e natyrshme të vëllazërisë së plazmuar qysh në lindjen e kohërave mes fqinjëve si Shqipëria dhe Greqia, por janë gjëra që kalojnë, edhepse do të ishte mirë të mos ndodhnin siç ndodhin, por herë më lehtë dhe herë më vështirë kalojnë edhe sherret dhe keqkuptimet mes vëllezërish që jetojnë në shtëpi të ndryshme”, u shpreh ai.

(r.m.)