Betim Zihni Muço (21.01.1949 – 15.01.2015)
Shkencëtar, shkrimtar dhe përkthyes
Në sa e sa festivale të muzikës së lehtë në vitet ‘70-‘80 kemi dëgjuar vargjet e këngëve të mrekullueshme të Betim Muços, këtij poeti e shkrimtari të spikatur e talentuar, i cili, që me fillimet e botimeve në gjimnaz, arriti të botojë më shumë se 25 libra me poezi, tregime të shkurtra, romane dhe ese, por edhe libra për fëmijë, duke përfshirë edhe tri koleksione përrallash, pa përmendur ato që nuk arriti t’i botonte. Ai fitoi disa çmime letrare në Shqipëri dhe jashtë saj. Shumë nga poemat dhe tregimet e tij të shkurtra janë përkthyer dhe botuar në antologji letrare dhe revista në anglisht, rusisht, frëngjisht, në gjuhën holandeze, rumune dhe turqisht. Ai ishte gjithashtu edhe një përkthyes i shkëlqyer në shqip i shumë autorëve të shquar botërorë në poezi e prozë. Libri i tij “Yjet janë fare pranë”, i botuar pas vdekjes, u nderua me çmimin e “Librit dhe autorit më të mirë të vitit 2017” nga Panairi i Librit në Tiranë.
Betimi u lind dhe shkëlqeu në Tiranë dhe, pavarësisht transferimeve të njëpasnjëshme të familjes se tij dhe persekutimit të padrejtë, ai u diplomua në degën e fizikës bërthamore në vitin 1970, dhe më pas u specializua në sizmologji. Ishte ndoshta i pari shqiptar që shkoi me studime pasuniversitare në Japoni (në një program 6-mujor në Universitetin e Tokios në 1990-1991), e që do të lidhej me atë vend të zhvilluar aziatik pazgjidhshmërisht duke u bërë edhe Konsull Nderi i Japonisë në Shqipëri për 10 vjet (1990-2000).
Ai ishte dhe mbetet një shkencëtar i përmasave botërore. Letërsia dhe shkenca te Betimi ishin binom i pandarë. Talenti letrar duket sikur lindi bashkë me të, ndërsa karriera shkencore e tij përfshin më shumë se katër dekada. Betimi kontribuoi në praktikën e zhvillimin e sizmologjisë në Shqipëri dhe Ballkan përmes punës së tij në Institutin Sizmologjik (1974-2001). Ai u bë drejtor i këtij Instituti për disa vjet dhe më pas, si drejtor i Rrjetit Sizmologjik të Shqipërisë, drejtoi disa projekte ndërkombëtare dhe rajonale. Gjatë kësaj kohe botoi një gamë të gjerë artikujsh dhe librash shkencorë në Shqipëri dhe jashtë saj. Nga viti 1998 deri në 2005, Muço drejtoi dy projekte të Shkencës për Paqen të NATO-s mbi sizmologjinë në Shqipëri e Ballkan.
Por, Shqipëria ishte e vogël për këtë shkencëtar të madh. Në vitin 2001, ai u transferua në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen dhe mori nënshtetësinë si një “individ me aftësi të jashtëzakonshme në shkencë dhe art” dhe “në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ku dhe vazhdoi punën e tij shkencore e letrare për 15 vjet, derisa sa ishte gjallë.
Prof. dr. Betim Zihni Muço prezantoi punime shkencore në shumë konferenca në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, po vendlindjen nuk e harroi, vinte shpesh me punë sa ishte gjallë, ia donte puna dhe zemra.
Ai zotëronte, veç gjuhës shqipe, anglishten dhe rusishten, po lexonte dhe përkthente edhe nga frëngjishtja, italishtja dhe serbo-kroatishtja. Punimet shkencore dhe vepra e tij letrare gjejnë një përdorim dhe lexim të adhurueshëm në ditët e sotme. Kam bindjen se edhe nga shumë breza në të ardhmen do të jete i adhuruar dhe pikë reference. Materialet e tij shkencore jepen leksione dhe studiohen në universitete, akademi dhe gjetkë.
Prof. dr. Muço ishte një mendje kureshtare me ndjeshmëri të lartë, me pasionin e studimit si domosdoshmëri jetike, me peshë mendimi dhe fuqi shprehëse, enciklopedik, me larmi të pasur tematike, me gjurmime e studime shkencore, artistike, gjuhësore, mitologjike, letrare, me shkrime fluturake dhe deri te studime në kërkim të një emocioni shkencor. Po, ai është një libër jete që, përtej leximit të thjeshtë, kërkon të studiohet, shijohet, përtypet ngadalë, në heshtje e qetësi për vetë ngarkesën ideore që përmban dhe mesazhit që përcjell vepra e tij.
Ai i takon plejadës së detit të përmetarëve të shquar të pendës naimiane dhe shkencëtarëve të mëdhenj të asaj treve, nga Sami Frashëri, Çako te Andokli Kostallari e Mentor Përmeti. Them kështu, dhe për faktin se i ati i tij, Zihniu, ishte nga Pagrija, nga një familje patriotike në breza dhe që ai vetë la bankat e gjimnazit të Shkodrës dhe doli në mal e luftoi heroikisht përballë okupatorëve deri në çlirimin e atdheut. Po edhe e ëma e Betimit vinte nga një derë e madhe, në një nga lagjet e Sevranit, e cila i dha atdheut dëshmorë në tre breza, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në Luftën e Parë, por edhe në Luftën e Dytë botërore. Të tre trimave populli i trevës u këndon këngë.
Sa ishte fëmijë, po edhe në rini, ai shkonte shpesh në pushimet e verës në vendlindjen e prindërve. Ajo trevë e dyfekut dhe e dijes, patriotët po dhe njerëz të mençur e të thjeshtë të saj, fisnikë e punëtorë kanë lënë mbresa të thella. Shumë ngjarje të librave të tij kanë si tematikë atë treve, madje gjyshi i tij jo rrallë në librat e tij del personazh. Burim frymëzimi i krijimtarisë së tij janë edhe traditat e zakonet e trevës.
Përmetarja Marta, bashkëshortja e Betimit, një intelektuale e shquar që bëri emër në Shqipëri dhe në Amerikë, thotë: “Betimi ishte para së gjithash një përmetar i mirë dhe ashtu mbeti derisa vdiq, ku shkonte çdo verë në fëmijëri e në rininë e tij. Ai ishte mishërimi më i gjallë i vlerave të Përmetit, i dashur, i thjeshtë, me shpirt të butë dhe shumë tolerant, i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë”.
Betimi dhe Marta patën tre fëmijë: Vajza e madhe, Sagita, ka studiuar ne Harvard për Zhvillim Ndërkombëtar; vajza e dytë, Fedora, ka studiuar Shkenca Sociale dhe djali, Zinarti, ka studiuar Shkenca Kompjuterike.
Poste honorifike e anëtarësi: Betim Muço ishte anëtar i Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1998-2000); sekretar i përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të IUGG për Shqipërinë (1997-2002); përfaqësues i Shqipërisë në Shoqatën Ndërkombëtare të Sizmologjisë dhe Fizikës së Brendësisë së Tokës (IASPEI, 1997-2015); anëtar i Shoqatës Gjeofizike të Amerikës (AGU, 1994-2015); Përfaqësues kombëtar në Komisionin Sizmologjik Europian (1998-2015); anëtar i Shoqatës Gjeofizike Europiane (2000-2015); anëtar i Komitetit Themelues të Agjencisë Botërore të Monitorimit Planetar dhe Reduktimit të Riskut të Tërmeteve, Gjenevë, Zvicër (2001-2015); anëtar i jashtëm për Shqipërinë në Bordin e Drejtorëve të Instituteve Kërkimore të Bashkuara për Sizmologjinë (IRIS), SHBA (1994-2015); “Mjeshtër i Madh”, Titull i akorduar pas vdekjes (2016) nga Presidenti i RSH.
Veprimtaria shkencore dhe botuese: 4 libra mbi sizmologjinë, botuar në shqip (autor apo bashkautor) dhe një libër mbi rreziqet gjeologjike të Shqipërisë, botuar në anglisht (bashkautor); 39 artikuj shkencorë profesionalë botuar në revista të huaja apo ndërkombëtare të shkencave të tokës dhe në përmbledhje studimesh nga shtëpi botuese shkencore ndërkombëtare; 16 artikuj shkencorë botuar në revistat shkencore dhe përmbledhje veprimtarish në Shqipëri; 57 kumtesa, abstrakte, me gojë apo postera të paraqitur në veprimtari shkencore të huaja ndërkombëtare; 13 kumtesa paraqitur në veprimtari shkencore të vendit.
Punoi si: mësues i fizikës, matematikës e astronomisë në shkollën e mesme të përgjithshme “Shote Galica” Fushë-Krujë (1971-1974); kërkues kërkimor shkencor në Institutin e Sizmologjisë, Tiranë (1974-1993); Drejtor i Institutit të Sizmologjisë, Tiranë (1993-1997); Përgjegjës i Rrjetit Sizmologjik, Instituti i Sizmologjisë, Akademia e Shkencave, Tiranë (1997-2002).
Në vitin 2001, zhvendoset me familjen në SHBA, në Maryland dhe në vitin 2007 merr qytetarinë amerikane; kryen detyrën e editorit shkencor në “General Dynamics Information Technology” (2003–2013); themelon dhe drejton Shtëpinë Botuese “Equinoxes Publishing House”, LLC (2006–2015), ku boton 10 libra në shqip dhe një në anglisht; ndërsa në vitet 2002–2015 është konsulent në Incorporated Research Institutions for Seismology (IRIS), Washington DC, SHBA.
Arsimi dhe kualifikimi: Në Qendrën Sizmologjike, Akademia e Shkencave, Tiranë (1974–1982); Kandidat i Shkencave (1982); Shkencëtar vizitues (1990-1991): Instituti i Kërkimit të Tërmeteve, Universiteti i Tokios, Tokio, Japoni (6 muaj); Doktor i Shkencave, Teza: “Veçori të tërmeteve të Shqipërisë dhe roli i ujërave nëntokësore në gjenerimin e tyre”, Fakulteti i Gjeologjisë e Minierave (1992).
Shkencëtar vizitues: Instituti i Gjeofizikës i Hamburgut, Hamburg, Gjermani (2 muaj, 1994). Titulli “Drejtues Kërkimesh” (ekuivalent me Profesor), titull i përjetshëm akorduar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës (1994). Shkencëtar vizitues: Departamenti i Shkencave të Tokës, Universiteti i Triestes, Trieste, Itali (nga 1 muaj, 1998 e ‘99); Shkencëtar vizitues: Instituti i Gjeofizikës, Universiteti i Karlsruhes, Karlsruhe, Gjermani (2 muaj 2000).
Betimi u shua nga jeta më 15 janar 2015. “Prof. dr. Betim Muço ishte shkencëtar (Sizmolog dhe fizikant), unik në gjenezën shqiptare dhe i shumëvlerësuar nga çdo institut shkencor i globit. “Shqipëria nuk e di çfarë ka humbur...”, është shprehur një nga kolegët e tij amerikanë.
Shefqet Saliu
Shënim: Nxjerrë nga libri ‘Mërgata legjendare e Amerikës’, Tiranë, vit i bot. 2021.