Personalitet i shquar i kulturës kombëtare, skalitës i ngjarjeve e figurave madhore të vendit në gur, në mermer dhe në bronz. I pari skulptor i madh me vepra realiste e monumentale në Shqipëri.
Nga Shefqet Saliu
‘’Unë nuk jam skulptor në kuptimin profesional të fjalës; as jam poet në kuptimin tradicional; dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës. Jam njeri. Çdo gjë njerëzore më ka tërhequr. Linda, jetova dhe do të vdes i varfër’’
—– Odise Paskali, Skulptor i Popullit.
Odise Paskali u lind në fshatin Kozhan të Përmetit. I biri i Paskal Thanasit dhe Kaliope Papadhimitrit. I ati në fillim ishte sekretar në administratën turke të duhanit në Dishkatë e Kozhan dhe më pas prift në Koblar (1910), Miçan, Frashër, Zavalan e Soropull të Dangëllisë, në Lipë e Leusë pranë qytetit të Përmetit dhe në Bënjë të Shqerisë. Odise Paskali në periudhen 1903-1916, ka jetuar e qëndruar me familjen, me prindërit dhe me tri motrat, Uraninë, Angjeliqinë dhe Elpiniqin në qytetin e Përmetit, në Koblarë në vitet 1911-1914 dhe në Frashër nga maji deri në shtator apo tetor 1919.
Odise Paskali i ri mori mësimet e para nga i ati që ishte prift dhe mësues në Koblarë. Shkollën fillore e përfundoi në Përmet. Pas shumë vështirësive ekonomike dhe pengesave të tjera, me ndihmën e një miku arbëresh, në vitin 1919, u nis për në Itali. Pasi përfundoi liceun në vitin 1923 u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino dhe në vitin 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit me historianin e njohur A. Venturi.
Gjatë viteve që qëndroi në Torino, krahas studimeve në universitet, Paskali gjendej çdo ditë në studion e artistit italian Rubino, ku mësoi mjeshtërinë e skulpturës. U bë i njohur që me krijimet e para, në moshën studentore. Shkroi artikuj, poezi dhe tregime; përktheu novela dhe ese për artin.
Kur ishte student në Torino inicioi shoqatën dhe revistën e Studentëve Shqiptarë të Torinos. Në vitin 1929 nxori numrin e parë të revistës “Studenti shqiptar”, të cilën e drejtoi derisa u mbyll, pas shtatë numrash. Krahas krijimeve letrare, aty botoi foto nga punimet e tij në skulpturë, si dhe nga tablotë e kolegëve artistë si: Abdurrahim Buza, Vangjush Mio, Kristaq Sotiri, etj. Nga biblioteka e njohur Argys në Tiranë u botua një libër me tri novela të përkthyera nga Paskali.
Për disa vite, artisti i ri u end midis letërsisë dhe artit, ende pa e përcaktuar drejtimin e ardhshëm të krijimtarisë së tij. Sidoqoftë, viti 1928 shënon udhën kryesore përfundimtare, përkushtimin e plotë ndaj skulpturës. Skulptura “I urituri” (realizuar më 1924), e bëri të njohur si një talent që rrezatonte dritë për artin kombëtar. Bashkia e Korçës e porositi skulptorin për monumentin “Luftëtari kombëtar”, i cili u vendos në qytetin e Korçës (1932) dhe përurua në të njëjtën ditë me statujën tjetër të tij, “Flamurtari”, në qytetin e Vlorës. Kështu Odise Paskali do të bëhet skulptori më i njohur në Shqipëri. Më pas u ngritën edhe tri vepra të tjera në bronz po nga Paskali: “Mihal Grameno” në Korçë, (1932), “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër (1934) dhe “Skënderbeu” në Kukës (1939).
Me statujat e Paskalit disa nga qendrat në qytetet kryesore shqiptare morën një pamje të re, duke fituar edhe një identitet të tyre. Jemi në kohën kur Odise Paskali angazhohet plotësisht në jetën artistike shqiptare dhe për disa vite do të jetë në krye të shumë veprimtarive të rëndësishme kombëtare.
Në vitin 1931, bashkë me akuarelistin Qenan Mesareja, edhe ky përmetar nga Mesarea, themeloi shoqërinë “Miqtë e Artit”, ku u mblodhën artistë të të gjitha fushave që jetonin në Tiranë. Po atë vit, ata organizuan ekspozitën e parë kombëtare të artit në Shqipëri, që u hap në Tiranë, në maj të vitit 1931. Ekspozita ndikoi edhe për themelimin e Shkollës së Vizatimit. Paskali, që në fillim, ishte një ndër mësimdhënësit kryesorë, ndërsa më vonë u caktua drejtor i saj dhe luajti rol të rëndësishëm në konsolidimin e shkollës, si dhe në zbulimin dhe përgatitjen e artistëve të rinj.
Pas vitit 1944, ndaj tij në fillim u mbajt një qëndrim i rezervuar. Nuk u ftua të merrte pjesë në ekspozitën kombëtare të pasçlirimit, në prill të 1945-ës, nga që kishte realizuar më parë statujën e mbretit Zog, si dhe buste të figurave të tjera të mbretërisë. Por, vlerat e statujave në bronz, të ngritura në sheshet e qyteteve, e ruajtën të pacenueshme figurën e Paskalit dhe ndikuan që ai të rikthehet përsëri në art.
Kështu rifilloi përsëri krijimtarinë në skulpturë me bustet e heronjve “Misto Mame” (1948), “Vojo Kushi” (1949), që u vlerësuan midis punimeve më të bukura të atyre viteve. Më pas, realizoi disa monumente si “Partizani çlirimtar” dhe “Ndihmë shokut” (Përmet, 1964), “Partizani fitimtar” (Mathausen, Austri, 1968), “Skënderbeu”, bashkautor me Janaq Paço, Andrea Mano, Tiranë, 1968 dhe vazhdoi me bustet “Dy Heroinat” në Gjirokastër (1974), “Vëllezërit Frashëri”, bashkautor me Thoma Thomain në Tiranë (1978), “Idriz Seferi” në Prishtinë (1980) etj.
Në vitin 1965 realizoi variantin më të arrirë të bustit të Enver Hoxhës, që u riprodhua në qindra e mijëra kopje. Ajo u çmua si vepra që pasqyroi dhe i që i shëmbëlleu më saktë figurës së drejtuesit komunist të Shqipërisë. Për Odise Paskalin u ngrit studioja e parë, më e madhe në Tiranë për skulpturë dhe, gjatë gjithë kohës, ai ka qenë një nga artistët më të vlerësuar në Shqipëri.
Odise Paskali duhet të ketë realizuar rreth 600 skulptura. Skulptura e tij e parë ishte ‘I varfëri’, ndërsa kryevepra e tij është ‘Monumenti i Skënderbeut’ në Tiranë (bashkëpunim). Mendohet se shumë nga veprat e Paskalit mund të gjenden në Itali dhe në Zvicër, pasi ato u morën përmes rrëmujave gjatë pushtimit fashist. Specialistët e kësaj fushe shprehen se statujat e tij dallohen për siluetat e bukura, modelim harmonik sipas konceptimit skulpturor të antikitetit klasik. Në bustet e asaj periudhe vërehet një trajtim i thelluar i psikologjisë së personazheve dhe më shumë interpretim artistik nga autori. Me ato vlera të çmuara, Odise Paskali përcaktohet si themelues i skulpturës realiste shqiptare. Studioja e tij u shndërrua në një shkollë për artistët e rinj, si dhe për studiuesit dhe historianët e artit, pasi ai ka qenë gjithashtu edhe një njohës i mirë dhe studiues i zhvillimeve artistike.
Odiseja, iu përkushtuar kryekëput krijimtarisë së tij, nuk ishte i prerë për çështje administrative. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, siç rrëfejnë kolegët, nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. Në pjesën më të madhe të kohës ka qenë në krijimtari të lirë. Gjithnjë i angazhuar në realizimin e statujave dhe monumenteve.
Megjithëkëtë, siç u theksua më lart, hapat e para të karrierës së Odisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja. Vazhdoi të shkruante artikuj dhe ese për artin deri në vitet e fundit të jetës.
Odiseja dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë. Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skulptori italian të Torinos, kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar. Me pushtimin fashist të vendit, ai si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit.
Edhe pse Paskali jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme, deri para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi për vendlindje disa vepra, si: “Partizani Çlirimtar”, “Shokët” – në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit, etj. Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë Harallamb Papën, Gaqi Vinjaun e Foti Adhamin, gjithashtu figura të spikatura.
Veprat e tij ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të vendit. Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku u vendosën vepra origjinale, si dhe variante në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në rrugë e sheshe të Tiranës si dhe të qyteteve të tjera.
Pas titujve “Skulptor i Popullit” dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin “Nderi i Kombit”. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet.
Epitafi për vetveten: Unë nuk jam skulptor në kuptimin profesional të fjalës; as jam poet në kuptimin tradicional; dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës. Jam njeri. Çdo gjë njerëzore më ka tërhequr. Linda, jetova dhe do të vdes i varfër.
Me rastin e 105-vjetorit të lindjes së Skulptorit të Popullit, Akademikut dhe Nderit të Kombit, Ohise Paskalit, doli në qarkullim vepra e plotë me esetë e shkruara prej dorës së tij, duke nisur nga viti 1922 e deri në vitin 1983 (dy vjet para se të ndërronte jetë).
Odise Paskali do të mbetet përherë një nga figurat më të rëndësishme e më kuptimplote të artit shqiptar.