Në draftin e ri të Ligjit për të Drejtën e Informimit hiqen “kërkesat abuzive”

Tiranë, 11 prill 2023 – Ministria e Drejtësisë dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit prezantuan të martën në një konsultim me median dhe shoqërinë civile një draft të ri të ligjit “Për të drejtën e informimit”, në të cilin ndryshe nga versioni i publikuar në tetor 2022 ishte hequr pjesa që u lejonte autoriteteve të përfundonin pa vendim një procedurë duke e konsideruar një kërkesë abuzive.

Drafti i ri është fokusuar kryesisht të kompetencat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, masat ndëshkuese dhe roli i Koordinatorit për të Drejtën e Informimit pranë çdo institucioni. Por megjithëse pati edhe në këtë rast propozime për ndryshime, debati u fokusua te paragrafi mbi kërkesat abuzive, i cili ishte tërhequr nga drafti.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ndërsa pretendoi se ndryshimet do të sillnin më shumë transparencë u kujdes t’u kërkonte të pranishmëve të diskutonin hapur edhe mbi pjesën e hequr nga propozimi. Manja tha se propozimi i kishte ardhur nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe se pjesa ishte hequr nga drafti pas ankesës së shoqërisë civile.

Komisioneri Besnik Dervishi nga ana e tij këmbënguli se pjesa për kërkesat abuzive ishte përfshirë në projektin për ndryshimet në ligj pas konsulencës nga jashtë. Ai pretendoi se kërkesat abuzive mbingarkonin institucionet, por shtoi se kjo pjesë ishte hequr tashmë nga ligji dhe se ndoshta koha për këtë ndryshim mund të vinte në “vitet pasardhëse”.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca mbështi këtë qëndrim, ndërsa tha se ndryshimet duhej ta kishin përfshirë pjesën për kërkesat abuzive. Ballanca madje përmendi edhe nevojën për masë dënimi për ata që abuzonin me ligjin.

Drafti në të cilin zyrtarëve u jepej e drejta të shpallnin si abuzive kërkesat për informacion u kundërshtua ashpër pas publikimit në tetor 2022. Ekspertë për të drejtën e informimit e panë atë si një përpjekje për pengesa shtesë për gazetarët dhe publikun dhe një hap në mbylljen e mëtejshme të institucioneve.

Pjesa tjetër e diskutimit u fokusua te kërkesa e avokatit Dorian Matlia nga qendra “Res Publica”, i cili kërkoi që në ligj të vendosej detyrimi për Komisionerin për të Drejtën e Informimit që të dilte me vendim për ankimet që merrte.

Dervishi e kundërshtoi këtë praktikë, ndërsa tha se një pjesë e mirë e ankimeve për të cilat nuk kishte vendim ishin jashtë objektit.

Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë e mbrojtën draftin duke e paraqitur atë si përmirësim të nevojshëm të ligjit. Ata u fokusuan kryesisht sa i përket kompetencave të koordinatorit dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe shpërndarjen e masave ndëshkuese te zyrtarë të tjerë që mund të ishin pengesë për zbatimin e ligjit.

Ndryshimet parashikojnë që Komisioneri për të Drejtën e Informimit pas hetimit administrativ mund të vendosë gjoba ndaj titullarit të institucionit apo zyrtarit që është bërë pengesë për dhënien e informacionit në zbatim me ligjin. Derivishi tha se ky ndryshim i bënte të zbatueshme masat administrative dhe më të efektshëm procesin.

(Repoter.al)