Tiranë, 18 qershor 2021 – Në Shqipëri, policia njoftoi sot se ka mundur të sekuestrojë në Portin e Durrësit një sasi prej 300 kliogramësh e dyshuar kokainë, në një kamion me targa të Maqedonisë së Veriut.
Sipas të dhënave të policisë, kamioni ishte në kalim tranzit në Shqipëri, dhe po priste të imbarkohej në një nga tragetet e linjës për në Itali. Sasia e madhe e drogës u kap pas një kontrolli të imtësishëm të mjetit.
“Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut”, bën të ditur njoftimi i policisë.
Shoferi, një 40 vjeçar nga Maqedonia e Veriut, ka përfunduar në pranga.
Vitet e fundit janë rregjistruar disa episode të ngarkesave të mëdha me kokainë të zbuluara në Portin e Durrësit.
613 kg kokainë në kontenerin me banane, Apeli lë në fuqi dënimin për Arbër Çekajn
Sot Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la në fuqi dënimin prej 14 vitesh burg për Arbër Çekajn, pronarin e një kontenieri me banane në të cilin, në shkurt të vitit 2018, u gjendën 613 kilogram kokainë.
Ai ishte dënuar me 21 vite burgim, por përfitoi një ulje me 7 vite, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Avokati i tij e kundërshtoi vendimin duke thënë se Çekaj, ishte dënuar pa asnjë provë dhe pa iu lënë mundësia që të fliste në seancë.
Gjykata dënoi me 10 vite e 8 muaj burgim edhe Donald Lushajn, administrator kompanisë së Çekajt si dhe me 8 vite e 8 muaj, Armando Pezakun, shoferin që tërhoqi nga Porti i Durrësit, kontenierin u ndodhej kokaina.
Gjykata e posaçme konfiskon pasuritë e Moisi Habilajt
Po sot, në Shkallën e parë, Gjykata e Posaçme vendosi konfiskimin e pasurive të Moisi Habilajt dhe familjarëve të tij. Pronat e konfiskuara, apartamente, lokale e disa automjete, kapin një vlerë prej afro 800 mijë dollarësh. Habilaj u dënua pak javë më parë nga drejtësia shqiptare me 15 vite burgim. Ai është dënuar dhe në Itali, ku deri në janar të këtij viti ndodhej në arrest shtëpie, për t’u arratisur më pas.
Goditja në Itali, në vitin 2017, e grupit që ai drejtonte, e që u akuzua për trafikun e sasirave të mëdha marijuane, të dërguara nga Shqipëria, bëri bujë, pasi në përgjimet e autoriteteve italiane përmendej dhe emri i ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit nisi më pas një proces gjyqësor, i paraprirë dhe nga arresti në shtëpi.
(Zëri i Amerikës)