Policia ekuadoriane dhe ajo spanjolle goditën një rrjet të gjerë të drogës duke arrestuar 30 persona dhe duke sekuestruar rreth 2,4 tonë kokainë, një sasi parash prej mbi 400 mijë euro dhe armë, automjete dhe prona që kapin vlerën e rreth 13 milionë eurove.
Shtypi qëndror i të dyja vendeve citon burimet policore spanjolle dhe ekuadoriane sipas të cilave rrjeti dyshohet se drejtohej nga Dritan G., i cili prej më shumë se një dekade jetonte në Ekuador.
Sipas zyrtarëve të policisë spanjolle rrjeti i drogës përbëhej nga shtetas me kombësi ekuadoriane, spanjolle, argjentinase, kolumbiane dhe kineze.
Policia tha se operacioni ishte rezultat i hetimeve dyvjeçare dhe shkëmbimit të informacioneve midis autoriteteve të Ekuadorit dhe Spanjës.
Nga 30 të arrestuarit në mbi 67 operacione policore në të dyja vendet, 12 persona u kapën në Spanjë, thanë zyrtarët policorë në Spanjë.
Sipas policisë spanjolle organizata kriminale bënte porosi për kokainë nga laboratorët e prodhimit të kokainës në Kolumbi dhe koordinonte shitjen në Evropë përmes eksporteve kryesisht të bananeve.
Sipas hetimeve, kjo organizatë dyshohet se përdorte sipërmarrje për blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, për të realizuar pastrimin e parave nga trafiku i drogës.
(Zëri i Amerikës)