Në filialet e Bankës së Serbisë u konfiskuan 1.6 milionë euro, mbi 74 milionë dinarë…

Prishtinë, 20 maj 2024 – Policia e Kosovës njoftoi se në aksionin e zhvilluar të hënën në katër komunat veriore të vendit, ku u mbyllën gjashtë filiale të Bankës së Postës së Serbisë, është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave.

Në një komunikatë shtesë të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se gjatë këtij aksioni janë konfiskuar rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë dhe 40 dollarë australianë.

“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinarë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në komunikatë.

Policia bëri të ditur se aksioni është zhvilluar pa probleme dhe se në filialet e Bankës së Postës së Serbisë janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre.

“Gjashtë filiale të të ashtuquajturës  ‘Bankë Postare Kursimore’  në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës tha se aksioni u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, ndërsa në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, tha policia.

Në njoftim të Policisë së Kosovës u tha se aksioni kaloi pa ndonjë problem dhe incident.

Në aksion ishin të pranishëm edhe pjesëtar të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

(r.m.)