Në Gjakovë me sazet e jugut dhe Albinin pa protokoll

Endri Xhafo 

Ermal Hasimja mban si mbiemër, emrin një gruaje. Se si ka ndodhur kjo, ai e rrëfen te “E shkuar e pakryer”. Një libër i jashtëzakonshëm, që dëshmon historinë e shqiptarëve këtej e andej kufirit, përmes tre brezave të një familjeje gjakovare, para, gjatë dhe fill në momentin e rënies së komunizmit në Shqipëri.

Personi i parë që më ka folur se si gjakovarët mbahen me të madh, – në kohën e Jugosllavisë prej Gjakove vinin elitat më në zë të Kosovës, si Fehmi Agani me shokë, – ishte një kosovare me emrin Dafina, njëzet e kusur vite më parë, gjatë një palë pushimesh në Turqi, ku unë isha me prindërit dhe vëllain. Këtë histori ia tregova fundjavën e kaluar një personazhi mjaft të dashur të skenës muzikore shqiptare, me të cilin u prezantuam “in persona” te holli i “Çarshisë së Jupave”. Doli që Artan Bakija ishte… edhe djali i axhës së Dafinës. Botë e vogël!

 Prezantimi i librit “E shkuar e pakryer” te shkolla e muzikës “Prenk Jakova”, Gjakovë

Prezantimi i librit “E shkuar e pakryer” te shkolla e muzikës “Prenk Jakova”, Gjakovë

Me historinë e Gjakovës si kryeqendra e Kosovës dhe kërthiza e botës kam shpotitur Ermalin, kur, për herë të parë vite të shkuara, zbulova pasionin e tij prej “tironci” Gjakove. Mirëpo duhet të marrësh në dorë librin e tij, – që përpihet me një frymë, – për të kuptuar.

Sigurisht, Ermali nuk është “ambasadori” më përfaqësues i Gjakovës në Shqipëri, i madhi Avni Mula ishte gjithashtu prej Gjakove. Por, si anëtar i Fondacionit për Gjakovën, i krijuar së fundmi, Ermali, bashkë me të tjerë, është angazhuar për të promovuar qytetin. Ndaj më ftoi të kaloj aty 28 nëntorin.

-Në Gjakovë, u habit Ana kur i thashë.

-Sigurisht, se nuk i them dot “jo” një shoku që nga fakulteti, që për më tepër më ka ardhur në emision pa naze sa herë i kam thënë.

Koncerti i grupit Saz’Iso në pallatimn e kultures 'Asim Vokshi', Gjakovë

Koncerti i grupit Saz’Iso në pallatimn e kultures ‘Asim Vokshi’, Gjakovë

Kur lexova librin, “detyrimi” u shndërrua në padurim. Ana dhe vajzat e kishin për herë të parë, unë për herë të dytë pas shumë vitesh. Se si shkohet nga Tirana në Gjakovë, kjo mund të përmblidhet me një fjali, që Ana e lëshoi jo pa një pezm të lehtë, si “jugse” Tirane që është:

-Në Gjakovë u vika më shpejt se në Sarandë!

Te vendpagesa e autostradës së Thumanës na parakaloi autokolona e Albin Kurtit, që kthehej nga ceremonitë zyrtare në Vlorë. Ne ishim nisur me ngè nga Tirana. Në atë moment nuk e dija se do ta shihja Albinin edhe në Gjakovë, në një situatë krejt të pazakontë.

Rrugës vajzat kundronin shpatet në krah të Rrugës së Kombit. Tek kalon në të, nuk mund të mos ndjesh admirim për ata burra që e bënë të mundur ndërtimin e saj! Bashkë me zgjatimin në territor kosovar përmes autostradës “Ibrahim Rugova”, rruga ka bashkuar kombin. Të paktën në teori.

Zoi, e vogla, pyeste tërë rrugës për “kufirin”, nëse ishte si ai kur shkojmë me pushime në Greqi, pse kishte policë përderisa ne jemi shqiptarë…?

-Se jemi dy shtete të ndryshme, o Zoi…

-Po pse jemi dy shtete të ndryshme përderisa jemi shqiptarë pra…

-Se kur u shpall pavarësia në 28 nëntor 1912, Kosovën e lanë jashtë Shqipërisë. Dhe vetëm më vonë Kosova u bë e pavarur dhe Amerika dhe fuqitë e tjera të mëdha nuk e lanë të bashkohej me Shqipërinë.

Pastaj vazhdoi nëse edhe shoqja e saj Lisa duhet të kalonte kufirin kur shkonte te shtëpia e gjyshes së vet në Prishtinë, etj.

Në “kufi”, që ngjan me një tjetër “toll” autostrade, polici “kosovar” përshëndetjes sonë “mirëdita” iu përgjigj me një urim që i doli nga shpirti:

-Gëzuar!

-Gëzuar, të gjithë bashkë, – ia ktheva. – Dokumentat ju duhen?

-Jo bre, sot kemi festë.

-Eh, po…

-Hajt ia kalofshi bukur!

-Rrofsh! Edhe ju!

Pas Kukësit, – për hir të së vërtetës ura e re e Kukësit ndoshta nuk është viaduku i Milaut, por është gjithsesi më impresionuese nga afër sesa del në televizor, – e kupton shpejt që je në fushë. I them Anës, pasi lamë pas Prizrenin:

-Nga xhami i makinës, veriu. Nga bagazhi, jugu. Nga krahu im, perëndimi. Ne po ecim paralel me rrugën nga Kukësi në Bajram Curri. Atje mes malesh, këtu, në fushë.

Sofi, e madhja, në një moment më pyet me një shqipe përzier me fjalë anglisht të një shqiptareje të denjë të Gen Z, dmth brezit të YouTube-it dhe Netflix-it:

-O ba, nuk e kuptoj mirë këtë “relation” që kanë serbët me kosovarët, pse “they hate each other”?

-Sepse serbët Sofi, kanë dashur gjithmonë t’i zbojnë kosovarët nga Kosova. Që të mos kishte këmbë shqiptari këtu ku po ecim ne tani. Ja, kaq e thjeshtë është.

Në Gjakovë zbuloj se nuk jemi të vetmit të ardhur nga Tirana: Gjergji Bojaxhi, Mirela Milori, Alice Lucas, Ergys Mërtiri… të paktën këta njoh unë, por edhe të tjerë.

“Ditët e nëntorit” ishte një kalendar aktivitetesh i Fondacionit për Gjakovën. Në datë 28 ishte prezantimi i librit të Ermalit te shkolla “Prenk Jakova” e, më pas, një koncert i Saz’Iso te pallati i kulturës “Asim Vokshi”.

-Vazhdoni ju, – na thotë Ermali pak përpara koncertit, – se më duhet të pres Albinin.

-Ou?

-Epo duhet, si organizator.

Endri Xhafo e Artan Bakija, në Gjakovë

Endri Xhafo e Artan Bakija, në Gjakovë

Deri në atë moment asgjë nuk parathoshte mbërritjen e ndonjë kryeministri çfarëdo, sepse nuk kishte këmbë polici. Mirëpo Albini erdhi pas pak dhe, siç mësova më vonë, në një sallë me disa qindra vetë, brenda i ndejti vetëm një roje.

Grupin Saz’Iso e kisha hasur vetëm në Instagram. I dëgjoja tek më kalonin mornica nga kënga e Çeços që vrau bimbashin, apo nga tingujt e instrumenteve dhe pyesja veten: Ç’ishte ky grup virtuozësh që luante sazet e Jugut, për të cilin çmendej Kosova por i shpërfillte Tirana? Si ka mundësi që, për të keqen e tyre, shqiptarët e Shqipërisë ishin indiferentë ndaj një grupi që kishte luajtur deri në BBC në krah të Dua Lipës, i tërhequr nga këmbëngulja e producentes Edit Pula, një gocë tirano-gjakovare, me histori të ngjashme me të Ermalit? Pastaj, një zë i dytë, ma kthente: Po ç’pret nga ne shqiptarët e Shqipërisë, që shohim me habi njëri-tjetrin nëse i themi dikujt “gëzuar 28 nëntorin vëlla”? Se, siç më thoshte një shok me humor të zi, jemi i vetmi popull që s’e kemi ndarë ende a duhet me u gëzu a me u hidhëru që u bëmë të pavarur në 28 nëntor. Në këtë pikë, prapë shqiptarët e Kosovës janë vite dritë përpara nesh. Historia që më tregoi Ermali e ilustron më së miri këtë:

-Pasi mbyllëm kalendarin e “Ditëve të nëntorit”, – më tregoi, – në atë euforinë e punës së kryer, u them gjithë qejf këtyre të fondacionit: Tani të mendojmë ndonjë gjë edhe për pavarësinë e Kosovës. Dmth 17 shkurtin. Heshtje një moment. Pastaj, shohin njëri-tjetrin në sy dhe ia plasin: Po ne kemi 28 nëntorin. Hahahaha.

***

Pas koncertit ishim ndarë dyshe-dyshe, Ana me Zoin, që çapitej e lodhur, dhe unë përqafe me Sofinë. Zoi, që po këndonte këngën e Adem Jasharit që ia vënë në shkollë, një moment pyeti:

-Kush është Adem Jashari?

-Hë ba, – qeshi Ana, – shpjegoi tani vajzës kush është Adem Jashari.

-Adem Jashari, Zoi, ishte një shqiptar që luftoi kundër serbëve. Dhe serbët e vranë atë me gjithë familjen e tij. Ia bënë shtëpinë shoshë me plumba kaq të mëdhenj (tregoj pëllëmbën e dorës). Do të vemi një ditë te shtëpia e tij se i kanë lënë muret gjithë vrima plumbash. Është një kompleks i madh memorial në Prekaz…

-Çfarë është një kompleks mem…?

-Janë disa godina Zoi, aty janë edhe varret e familjes së vrarë, që shërbejnë për të kujtuar dikë apo një ngjarje. Dhe vetëm pasi u vra Adem Jashari, doli UÇK-ja dhe filloi lufta. Se pa UÇK-në s’do të kishte Kosovë të pavarur. Burrë i mirë ishte edhe Ibrahim Rugova, por…

-Kush ishte Ibrahim Rugova?

-Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës. Por ishte njeri paqësor. Por pa UÇK-në nuk do të kishte Kosovë të pavarur. Fiksoje këtë, Zoi! Të gjithë e respektojnë Dalai Lamën, por nuk e njeh njeri pavarësinë e Tibetit.

Zoi rrinte e tromaksur duke u përpjekur të procesonte gjithë atë rrëke informacioni.

I afrohem Sofisë në vesh, në një si biçim përqafimi, dhe i them:

-Po ty, të pëlqeu koncerti o princeshë?

Ma kthen:

-Unë atë muzikë mbase nuk do ta kisha dëgjuar po të ma vije, o ba, por aty ishte shumë emocionuese.

-Sepse çdo muzikë kur e dëgjon në sallë ka tjetër efekt, Sofi.

Pasi mbërritëm në dhomë dhe vajzat u shtrinë, më vijnë njëri pas tjetrit një mesazh dhe një link në Google Maps:

Ku’zin është një lokal i lezetshëm në çarshinë e Gjakovës. Në origjinë çarshia është një treg i madh i mbyllur. Pra, një pazar. Çarshi, apo pazare, ka pasur në shumë qytete në Ballkan, ku ndihej ku më shumë e ku më pak një influencë otomane, si në Shkodër, Elbasan, Berat, Gjakovë, Prizren, Shkup, Sarajevë, Gjirokastër, Korçë, etj.

Te Ku’zin, zhytur në karrige përballë banakut, shquajta instrumentistët e Saz’Iso. Turma brenda ishte kompakte dhe vetëm pak njerëz andej nga fundi rrinin ulur. Mes tyre, Albini, deputetja Mimoza Kusari-Lila, ish-kryetare e komunës së Gjakovës deri në 2017, ministri shumë i rëndësishëm i brendshëm Xhelal Zvelça dhe përreth në këmbë nja 2-3 ministra të tjerë. Shihemi në sy me Ergys Mërtirin, i cili kishte marrë të njëjtin mesazh me vendin dhe vendndodhjen e takimit: Po Garda? Ku është Garda?

Në fakt një grup i vogël rojesh dallonte nga kufjet në vesh dhe stemat e Republikës së Kosovës në sythin e palltove, por vigjilenca e tyre nuk binte shumë në sy.

Dhe, shumë shpejt, ajo që u duk si një gotë pas koncerti, u kthye në një “live” papushim nga Saz’Iso, aq sa po thonim me vete si është e mundur që pas gati dy orësh koncert me publik, tani këta nuk po uleshin një moment në një lokal ku këndonin të gjithë, pa përjashtim?

Dikush ngacmoi Ergysin: Shko bëj një foto me Albinin. Unë me Albinin, ia ktheu Mërtiri? Të vijë ai ta bëjë me mua. Në fakt as Albini nuk na kërkoi për foto, as ne. Ndejti aty deri në 2:30 të mëngjesit, kur pakashumë ikëm të gjithë. Mendoja titujt e portaleve, po ta dinin: “Ja si e kaloi Kurti 28 nëntorin”. Apo: “Kurti aheng në një mejhane në Gjakovë, ja fotot”. E shihja tek buzëqeshte pas çdo kënge dhe mendoja: Çfarë dite ka pasur ky njeri sot! Në mëngjes në Vlorë, tani në Gjakovë! Kur u zgjua xhanëm? Kur e piu kafen e mëngjesit? Kur shkoi në tualet? Kur erdhi e mori makina që të ishin në 9 në Vlorë? Kur u kthye? Kur ndejti në koncert? Dhe ja, prapë tani, përsëri rrugëve.

Albin Kurti në lokalin Ku’zin, Gjakovë, 28 nëntor 2024

Albin Kurti në lokalin Ku’zin, Gjakovë, 28 nëntor 2024

Por, nëse koncerti mund të ishte një detyrim i Kryeministrit të Kosovës ndaj qytetit të Gjakovës, ai moment në lokal ishte krejtësisht personal. Dukej qartë që askush dhe asnjë protokoll nuk e kishin shtrënguar të ishte aty, aq gjatë. Dukej qartë që ai njeri tani po shkarkonte tërë lodhjen e ditës. Mund të mos biesh dakord për shumëçka me Albinin, por nuk mund të mos e vlerësosh njeriun, kur e sheh ashtu, aq… njerëzor. Kur ka ndodhur herën e fundit që një kryeministër i Shqipërisë të jetë parë në një lokal, i shkrirë me njerëzit, pa protokoll, duke pirë një gotë? Pastaj, aq ishte, një natë. E nesërmja e ktheu frikshëm në realitetin e gjërave. Një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok ndërpreu furnizimin me ujë të 700 mijë banorëve. Qeveria akuzoi Serbinë se fshihej pas këtij akti terrorist.

***

Gjatë tërë kohës vajzave u bënte përshtypje një fakt dhe më thonin: O ba, sa të sjellshëm janë njerëzit këtu!

Në fakt gjakovarët janë shumë të sjellshëm. “Si korçarë me zë pak më të trashë”, më tha dikush. Ata jetojnë në qytetin e tyre si në një komunitet të madh. Një qytet me kriminalitet të ulët shpjegohet me faktin se të tërë njihen me të tërë. Gjakova konsiderohet një qytet tejet i sigurt në çdo orë të ditës e të natës. Kurse në kuzhinë janë shumë më tepër se klisheja e “gjelltore” apo “qebaptore Gjakova”, që i gjen me shumicë në plazhin e Durrësit. I kanë edhe ata qoftet e shtëpisë, edhe samunat me suxhuk, por kanë edhe një “gjellë” të paparë, që është “tava gjakovare” me mish e domate, që ata domates i thonë patëllxhan. Patëllxhan?! Po patëllxhanit si i thonë o Ermal? Hm, patëllxhan i zi?

Kjo “tava gjakovare” përgatitet në një mënyrë shumë interesante. Pasi priten domatet dhe zarzavatet e tjera dhe tava mbushet plot, lihen të gjalla të kullojnë tërë natën dhe lëngu i tyre mblidhet të nesërmen. Kurse tava çohet të piqet në furra publike me zjarr druri, si ato që kemi pasur në Shqipëri në kohën e diktaturës, ku piqnim çdo gjë, që nga bakllavatë dhe kadaidifi për vit të ri, deri te specat e mbushur ndonjë ditë të diele. Anipse sot gjakovarët kanë të gjithë furra elektrike në shtëpi, prapëseprapë preferojnë këto furrat e drurit, ku “tava gjakovare” piqet ngadalë për katër orë, duke e shuar herë pas here me lëngun e vet që ka lëshuar gjatë natës.

Gjakovarët janë të gjatë. Gratë janë të fisme. Tek rrija atë natë te Ku’zin më kujtohej shprehja që thonim për shkodranët qysh në kohë të Enverit: Ah, ata kanë humor të hollë dhe janë alegro. Idem me gjakovarët. Tek e fundit çfarë e bën një qytet, përpos arkitekturës dhe historisë? Atmosfera, njerëzit. Si në Shkodër. Si në Korçë.

Në çarshinë e Gjakovës më thanë që në verë nuk gjen vend të ulesh. Ah, ashtu? Do të vijmë prapë. Po në Rugovë keni qenë? Ngritje supesh. Gjakova vetë nuk është larg nga Prizreni, që kam përshtypjen se është qyteti më i vizituar nga shqiptarët e Shqipërisë. Të gjitha ekskursionet e shkollave të Shqipërisë jashtë Shqipërisë bëhen në Prizren. Sigurisht, është mirë që po e njohim njëri-tjetrin. Por, edhe në këtë pikë, shqiptarët e Kosovës na njohin më mirë sesa i njohim ne. Më vjen të qesh tani kur mendoj për ata që flasin për “kombin kosovar”. Shkoni në Gjakovë, se jua tregojnë aty.

***

Ermal Hasimja mban si mbiemër, emrin e një gruaje. Se si ka ndodhur kjo, ai e rrëfen te “E shkuar e pakryer”. Një libër i jashtëzakonshëm, që dëshmon historinë e shqiptarëve këtej e andej kufirit, përmes tre brezave të një familjeje gjakovare.

(BalkanWeb)