Në Gjermani, arrestohen 25 anëtarë të një grupi që dyshohet se po planifikonte grushtshtet

Berlin, 7 dhjetor 2022 – Policia gjermane i ka arrestuar 25 persona, të cilët dyshoheshin për komplot për rrëzimin e Qeverisë. Ata thuhet se i përkasin një grupi të ekstremit të djathtë.

Prokurorët federalë thanë se në këtë aksion kanë marrë pjesë rreth 3.000 policë, të cilët kryen bastisje në 130 lokacione.

Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann, e përshkroi aksionin si “operacion anti-terrorizëm”. Ai tha se dyshohet se grupi kishte planifikuar një sulm të armatosur ndaj institucioneve të shtetit.

Raportimet në mediat gjermane thonë se grupi, i përbërë nga figura të ekstremit të djathtë dhe nga ish-ushtarakë, kishte bërë “përgatitje konkrete” për të sulmuar ndërtesën e Parlamentit, Reichstag, për të marrë pushtetin.

Sipas autoriteteve gjermane, 22 nga 25 të arrestuarit janë shtetas gjermanë, ndërsa tre të tjerë, përfshirë një shtetas rus, dyshohet se e mbështesnin grupin.

Në krye të grupit dyshohet se ishte një 71-vjeçar, të cilit i referoheshin si princi Heinrich XIII.

Prokurorët federalë thanë se grupi planifikoi që ta instalonte atë si udhëheqësin e ri të Gjermanisë, dhe për këtë arsye vetë 71-vjeçari dyshohet se kishte kontaktuar me zyrtarët rusë me qëllim të negocimit të një rendi të ri në vend, pasi Qeveria gjermane të rrëzohej. Ai dyshohet se u ndihmua nga një grua ruse, Vitalia B.

Prokurorët e kanë identifikuar edhe një person tjetër të ndaluar nga policia.

Gazeta gjermane ‘Der Spiegel’ raportoi se ajo është gjyqtare dhe ish-deputete e partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, e njohur me akronimin AfD. Kjo parti është vënë nën vëzhgimin e shërbimeve gjermane të sigurisë për shkak të lidhjeve të saj me ekstremistët.

Bashkëdrejtuesit e AfD-së, Tino Chrupalla dhe Alice Weidel, dënuan planet e raportuara, për të cilat ata thanë se i kishin mësuar vetëm përmes raportimeve në media.

“Ne kemi besim të plotë në autoritetet e përfshira dhe kërkojmë një hetim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës”, thanë ata në një deklaratë.

Zyrtarët kanë paralajmëruar vazhdimisht se ekstremistët e ekstremit të djathtë përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë e brendshme të Gjermanisë.

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se bastisjet treguan se “ne dimë të mbrohemi kundër armiqve të demokracisë”.

“Vetëm hetimi i mëtejshëm do të tregojë një pamje të qartë se sa larg kishin arritur planet për grushtshtet”, tha ajo.

Pjesëtarët e grupit thuhet se janë anëtarë të lëvizjes ekstremiste “Reichsbuerger” apo “Qytetarët e Rajhut”, të cilët janë prej kohësh në vëzhgimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe për teori konspirative raciste. Ata refuzojnë ta njohin shtetin modern gjerman.

Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë bërë komplot për ta përmbysur Republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871.

(REL)