Berlin, 24 nëntor 2021 – Socialdemokrati gjerman, Olaf Scholz tha të mërkurën se ka arritur një marrëveshje me partinë e Demokratëve të Lirë dhe Partinë e Të Gjelbërve për të formuar një koalicion të ri qeveritar.
Ky koalicion shënon zyrtarisht edhe fundin e “epokës së Angela Merkelit”, ish-kancelares së Gjermanisë.
Sipas marrëveshjes 177 faqëshe që u arrit pas dy muajsh diskutimesh, tre partitë duan të avansojnë investimet publike në teknologji të gjelbërta dhe dixhitalizim.
Kjo marrëveshje do të instalojë koalicionin e parë federal në Gjermani në mes të Social Demokratëve (SDP), liberalëve, Demokratët e Lirë (FDP) dhe ambientalistëve, Të Gjelbërtit.
Kjo po ashtu do të shënojë fundin e qeverisë konservative të udhëhequr nga Angela Merkel për 16 vite, duke shënuar një epokë të re për marrëdhëniet me Evropën dhe gjithë botën,
“Ne duam të guxojmë të arrijmë më shumë progress. Ne do të investojmë masivisht në Gjermani për ta mbajtur të përparuar”, tha Scholz në një konferencë në Berlin.
Merkel kishte udhëhequr Gjermaninë dhe Evropën në mes të disa krizave si dhe ka qenë një kampione për demokraci liberale kur autoritarizmi po shpërndahej nëpër botë.
Kritikët e saj thonë se ajo ka menaxhuar më shumë se sa ka zgjidhur probleme ndërsa i ka lënë pasardhësit të saj vendime të vështira në disa rrafshe.
Aleanca që arriti koalicionin ka një shumicë në dhomën e ulët të Parlamentit dhe shpreson që qeveria do të betohet muajin e ardhshëm pasi partitë të ratifikojnë koalicionin.
Ky koalicion do të përballet me sfida të menjëhershme pasi Gjermania po përballet me një nga valët më të mëdha të COVID-19, si dhe me një Evropë që po përballet me pasojat e Brexit dhe krizën e kufirit të BE-së me Bjellorusinë.
(REL)