Në Gjermani diskutohet për dhurimin e organeve: Kush hesht e pranon dhurimin?

Berlin, 27 qershor 2024 – Gjashtë deputetë të Bundestagut nga parti të ndryshme prezantuan së fundmi në Berlin iniciativën e tyre për rregullimin e ardhshëm ligjor të dhurimit të organeve. Ata janë në favor të të ashtuquajturit modeli i supozuar i pëlqimit, që do të thotë se çdo person e ka automatikisht statusin e dhuruesit të organeve, nëse nuk e ka kundërshtuar dhurimin në mënyrë active, gjatë kohës sa ka qenë gjallë.

Kjo kërkesë mbështetet nga Petra Sitte (E Majta), Sabine Dittmar (SPD), Sekretarja e Shtetit në Ministrinë Federale të Shëndetësisë në Berlin, Gitta Connemann (CDU), Armin Grau (të Gjelbërit), Christoph Hoffmann (FDP) dhe Peter Aumer (CSU). Nisma e parë për të miratuar këtë model dështoi në vitin 2020.

Si të rritet numri i donatorëve?

Në Gjermani praktikohet i ashtuquajturi model i miratimit të informuar. Prandaj, dhurues të mundshëm organesh janë vetëm ata njerëz (persona mbi moshën 16 vjeç) të cilët gjatë jetës së tyre shprehimisht pranojnë dhurimin e organeve, domethënë nënshkruajnë “formularin e aksesit”.

Disa lande, pas iniciativës së Renanisë Veriore-Vestfalisë, kanë nisur tashmë një iniciativë në Bundesrat në mes të qershorit me qëllim të miratimit të modelit të supozuar të pëlqimit. Qëllimi është rritja e numrit të organeve të dhuruara që mund të transplantohen. Për momentin janë rreth 8.400 persona në listën e pritjes për një organ në Gjermani. Jeta e tyre është në rrezik në çdo moment.

“Situatë katastrofike”

Ministri i Shëndetësisë në qeverinë e NRW, Karl-Josef Laumann, së fundmi mbështeti futjen e modelit të supozuar të pëlqimit.

“Në Gjermani, ndoshta 40% e njerëzve kanë një kartë dhurimi organesh. Sondazhet tregojnë se rreth 80% e njerëzve mbështesin dhurimin e organeve”, tha ai në programin e mëngjesit të shërbimeve publike ARD dhe ZDF.

“Ne kemi një situatë katastrofike në listën e pritjes. Shumë njerëz vdesin para se të marrin organin që u nevojitet”, tha ai.

Politikani i CDU beson se është plotësisht e justifikuar përballja e njerëzve me çështjen e dhurimit (të mundshëm) të organeve gjatë jetës së tyre, pra të merret një vendim për këtë.

“Vendimi i çdo personi është moralisht i drejtë, pavarësisht nëse vendos për apo kundër dhurimit të organeve”, tha Laumann.

“Jam i sigurt se me kalimin e kohës do të krijojmë një qëndrim shumë më pozitiv ndaj kësaj teme dhe në planin afatgjatë, mund të ndihmojë që të bëhet krejt normale dhurimi i organeve në Gjermani, ashtu si në disa vende të tjera evropiane”, shtoi ai.

Një model antikushtetues?

Kritikët e modelit të supozuar të pëlqimit, duke përfshirë shefen gjermane të diplomacisë Annalena Baerbock (Të Gjelbërit), paralajmërojnë se heshtja e qytetarëve për çështjen e dhurimit të organeve nuk duhet kuptuar si pëlqim automatik.

Ekspertja ligjore e FDP-së, Katrin Helling-Plahr tha për agjencinë dpa se ky model përfaqëson një ndërhyrje masive në të drejtën e individit për vetëvendosje.

“Në vend që të fokusohemi te paternalizmi shtetëror, ne duhet të lidhim ligjërisht vendimmarrjen vullnetare të dhurimit të organeve”, tha ajo.

Anëtari i bordit të Fondacionit Gjerman për Mbrojtjen e Pacientëve, Eugen Brysch, beson madje se prezantimi i modelit të supozuar të pëlqimit është një veprim antikushtetues. Në një prononcim për gazetën Augsburger Allgemeine, ai thotë se çdo ndërhyrje mjekësore pa pëlqimin e të prekurit është në fakt një dëmtim fizik.

“Ai që hesht nuk jep automatikisht pëlqimin”, tha Brysch.

Në vendet e tjera evropiane, ku ka dukshëm më shumë dhurues organesh sesa në Gjermani (për shembull në Kroaci) rritja e numrit të organeve të dhuruara ishte kryesisht për shkak të masave organizative, por edhe strukturore, vëren Brysch. “

Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për impulse financiare për spitalet, ne kemi nevojë për rrjete efikase transplantimi, programe arsimore dhe trajnime të koordinatorëve në lidhje me anëtarët e familjes,” tha Brysch.

(DW)