Në Gjykatën Speciale do të rishqyrtohet ulja e dënimit për Salih Mustafën

Hagë, 30 korrik 2024 – Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale”, ka njoftuar se Paneli i Gjykatës Supreme ka vendosur që rastin e Salih Mustafës ta kthejë në rivendosje në Gjykatën e Apelit.

“Sipas Panelit (të Supremes v.j) Panelit të Apelit duhet t’i jepet një mundësi e dytë për ta shqyrtuar nëse dënimi me burgim për 22 vjet është i arsyeshëm në këndvështrimin e shkallës së identifikuar të dënimit dhe praktikës gjyqësore të analizuar”, thuhet në vendimin e Supremes.

Në njoftim njoftim thuhet se ky vendim është marrë me qëllim që Gjykata e Apelit të shqyrtojë uljen e dënimit, duke u bazuar në Rregullin 163 të Rregullores dhe rastet e mëhershme.

“Në vlerësimin e ri të dënimit të z. Mustafa, Paneli i Apelit duhet të udhëhiqet prej: 1) Rregullit 163, 2) Shkallës së dënimit prej 5 deri në 25 vjet burgim që është identifikuar nga ky panel për rastin Musfata dhe 3) Faktorët e dënimit të identifikuar prej Paneli të Apelit, 4) Praktika gjyqësore e analizuar nga Paneli i Apelit dhe nga ky panel. 5) Rrethanat specifike të çështjes së z. Mustafa”, thuhet në vendim.

Rastet e mëhershme të cilave u referohet Supremja janë rastet e dënimeve nga ICTY, të cilat sillen rreth 12 vjet burgim.

Paneli i Gjykatës Supreme i ka identifikuar tri rrethana të shkelljes së ligjit penal në rastin e Mustafës nga Paneli i Apelit.

“Paneli (i Gjykatës Supreme v.j) konstaton se Paneli i Apelit ka shkelur ligjin penal duke dështuar: 1) Të identifikojë ligjin relevant të Kosovës në përputhje me nenin 44 (2) (b) të ligjit dhe siç kërkohet në bazë të parimit të lex mitior (v.j zbatimit të ligjit më të favorshëm për të akuzuarin); 2) Të identifikojë shkallën e zbatueshme të dënimit dhe; 3) Ta arsyetojë në mënyrë të duhur se si ka arritur te ulja e dënimit të z. Mustafa për katër vjet”, thuhet në vendim.

Vendimi i Panelit të Gjykatës Supreme lidhur me kërkesën e Mustafës është lëshuar më 29 korrik të këtij viti, për mbrojtje të ligjshmërisë.

Në vitin 2023, Salih Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim nga shkalla e parë e Dhomave të Specializuara, “për vrasje të paligjshme”, “ndalim arbitrar” dhe “torturë”, ndërsa ishte liruar nga akuza për ”trajtim mizor”.

Në vitin 2023, atij i ishte ulur dënimi në 22 vjet burgim nga Paneli i Apelit.

Sipas aktakuzës, Mustafa, i njohur me nofkën “Cali”, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, në Zonën Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

(r.m.)