Athinë, 17 korrik 2022 – Një avion ukrainas, i cili po transportonte municione nga Serbia drejt Bangladeshit, u rrëzua në orët e vona të ditës së shtunë pranë qytetit Kavala, në pjesën veriore të Greqisë. Tetë pjesëtarët ukrainas të ekuipazhit e humbën jetën.
Firma ukrainase e transportit ajror “Meridian” konfirmoi vdekjen e pjestarëve të ekuipazhit.
Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsa Stefanoviq, tha se avioni ukrainas po transportonte mortaja dhe predha stërvitore të prodhuara nga industria serbe e mbrojtjes dhe se blerësi i ngarkesës ishte Bangladeshi.
“Aeroplani kishte një ngarkesë 11.5 ton me produkte të kompanisë Valir, e liçensuar për aktivitete të tregtisë së jashtme të pajisjeve ushtarake dhe armatimeve si dhe produkteve të tjera të fushës së mbrojtjes”, tha ai.
Zoti Stefanoviq tha se avioni ishte nisur nga Nishi rreth orës 9 të mbrëmjes sipas orës lokale dhe do të ndalej në Aman, në Riad dhe në Ahmedabad përpara se të arrinte në destinacionin përfundimtar, në Daka.
Në një bisedë telefonike me agjencinë e lajmeve Reuters, drejtori i përgjithshëm i kompanisë ukrainase “Meridian”, Denys Bogdanovych, tha se ngjarja nuk kishte lidhje me Ukrainën apo me Rusinë.
Dëshmitarët thanë se avioni ishte përfshirë nga flakët para se të binte në një fushë në orët e para të mëngjesit të së dielës. Pak para se të rrëzohej aeroplani, piloti kishte njoftuar për probleme me avionin dhe kishte kërkuar ulje emergjente.
Autoritetet greke vunë në lëvizje ekipet e reagimit në rast të fatkeqësive dhe ekspertë të ushtrisë, ndërsa banorëve të zonës u është kërkuar të qëndrojnë larg vendit të ngjarjes.
“Po përdorim pajisje mbrojtëse në një distancë prej 50 metrash nga vendi i ngjarjes”, tha Marios Apostolidis, komandant i zjarrfikësve.
Televizioni shtetëror grek ERT tha se sinjali i avionit u zhduk menjëherë pasi piloti kërkoi nga autoritetet greke një ulje emergjente, për shkak të problemeve teknike. Pamjet filmike amatore të postuara në faqen eletronike të televizionit ERT e tregojnë avionin e përfshirë nga flakët duke rënë me shpejtësi, përpara se të përplasej në tokë dhe të shpërthente.
(Zëri i Amerikës)