Në Hagë filloi procesi gjyqësor kundër ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në Hagë filloi procesi gjyqësor kundër ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Hagë, 3 prill 2023 – Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik që dolën sot para trupit gjykues në Gjykatën e Posaçme me seli në Hagë, thanë se ndjehen të pafajshëm për dhjetë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për veprat penale “përndjekje”, “burgim”, “akte të tjera çnjerëzore”, “torture”, “vrasje” dhe “zhdukje me forcë” të viktimave.

Në fillim të seancës, kryesuesi i trupit gjykues, Charles Smith, njoftoi për procedurat dhe preantoi anëtarët e trupit gjykues dhe anëtarët e ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve.

Prokuroria dhe mbrojtja u pajtuan që në këtë seancë të mos lexohet aktakuza e plotë, por vetëm disa pjesë të saj.

Të akuzuarit deklarojnë se janë të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës

Më pas gjykatësi Smith i pyeti të akuzuarit nëse e kanë kuptuar aktakuzën pas ndryshimeve të bëra dhe i pyeti nëse vazhdojnë të mbeten pranë deklaratës së tyre fillestare se janë të pafajshëm.

Të gjithë të akuzuarit thanë se janë të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

“E kuptoj dhe jam plotësisht i pafjashëm”, tha Thaçi.

“E kuptoj dhe shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë dy vjeqare. Jam falënderues dhe tërësisht i pafajshëm”, u shpreh Veseli.

“Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakzuës”, tha Selimi.

“Unë e kam vështirë ta kuptoj akuzën dhe mënyrën se si është përpiluar kjo aktakuzë. Nuk kam lidhje me asnjërën prej pikave që i lexoj prokurorja. Nuk pajtohem me të pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”, u shpreh Krasniqi.

“Jam plotësisht i pafajshëm”, theksoi kur u pyet nga gjykatësi Smith.

Whiting: Akuzat kanë të bëjnë me katër të akuzuari, jo me UÇK-në

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, në fillim të paraqitjes së përmbledhjes së aktakuzës, tha se katër të akuzuarit kanë qenë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjitshëm të UÇK-së.

Ai tha se gjatë kohës që përfshihet në aktakuzë, ata “kanë mbështetur dhe zbatuar një politikë që vinte në shënjestër personat që shiheshin si bashkëpunëtorë, kolaboracionistë me Serbinë”, por edhe persona që shiheshin se kundërshtonin UÇK-në apo përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës, njësojë si ata”, theksoi Whiting.

“Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit, synonte burgosjen, keqtrajtimin, ndonjëherë vdekjen e të ndaluarve”, shtoi ai.

Whiting tha se motivi i kryerjes së krimeve të pretenduara në aktakuzë ishte “arsyeja për të fituar pushtet në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.

“Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej, nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë. Mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova për këto të dyja”, tha ai.

“Qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë”, tha Whiting.

Prokurori Whiting theksoi se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me ata dhe jo me gjithë UÇK-në.

“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk i akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetëve. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”, theksoi ai.

Whiting tha se një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë gjatë procesit gjyqësor do të kenë “frikë” të tregojnë për ato që kanë përjetuar.

Whiting: Thaçi ka mohuar shumëçka lidhur me rolin e tij në luftë

Prokurori Alex Whiting tha se përmes provave do të dëshmojë se UÇK-ja kishte hierarki dhe se të katër të akuzuarit kishin autoritet në Shtabin e Përgjitshëm.

Ai tha se Thaçi kishte shkuar disa herë në Hagë dhe ishte intervistuar nga Zyra e Prokurorisë Speciale për rolin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, Thaçi ka deklaruar se Shtabi i Përgjithshëm ka qenë “jofunksional” dhe “vetëm në letër”, por shtoi se këto pretendime do të hidhen poshtë gjatë gjykimit.

“Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’u dhënë ZPS-së intervistë të regjistruar në video. Gjatë këtyre intervistave, ai mohoi shumëçka lidhur me rolin e tij në luftë dhe me rolin e UÇK-së. Ai pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm s’kishte asnjë funksion deri në nëntor të 98-s, e edhe para kësaj date, ekzistonte vetëm në letër. Ai e mohoi se kishte dijeni për ndalimet. Provat do të tregojnë se këto pretendime janë të rreme”, shtoi ai.

Whiting tha se katër të akuzuarit ishin anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm dhe se mbanin poste të larta drejtuese në UÇK.

“Të katër, pa asnjë dyshim, ishin udhëheqësit parësorë të UÇK-së. Por, kishte edhe një anë tjetër, më të errët, të udhëheqjes së tyre dhe ky është objekti i gjykimit që po fillon sot”, tha Whiting.

“Provat do të tregojnë se katër të akuzuarit në rolet e tyre si udhëheqës të lartë në Shtabin e Përgjithshëm mbështetën dhe zbatuar një politikë që vinte në shënjestër personat që shiheshin si bashkëpunëtorë, kolaboracionistë me Serbinë, por edhe persona që shiheshin se kundërshtonin UÇK-në apo e përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës”

“Kjo politikë synonte burgosjen, keqtrajtimin, torturimin dhe nganjëherë edhe vrasjen e kundërshtarëve politikë”, tha ai.

Më pas, prokurori i specializuar Mattheë Halling paraqiti një historik të shkurtër të krijimit të UÇK-së. Ai tha se UÇK-ja buroi nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) e cila “besonte se liria e shqiptarëve mund të fitohej vetëm me forcë”, gjë që ishte në kundërshtim me politikën që e ndiqte LDK-ja, e cila ishte për rezistencë paqësore.

Halling citoi disa deklarata që të pandehurit kishin dhënë në medie lidhur me Shtabin e Përgjithshëm dhe me vetë UÇK-në. Ai paraqiti edhe dokumente të ndryshme autentike që e paraqesin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si forcë me hierarki komanduese, në krye të së  cilës ishin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kasniqi.

Shumë prej këtyre dokumenteve, sipas prokurorisë, janë gjetur gjatë kontrollit në shtëpinë e Krasniqit. 

 

Në disa raste, seanca u mbyll për publikun, për të mbrojtur identitetin e dëshmitarëve të prokurorisë apo pjesët e redaktuara të aktakuzës.

 (r.m.)