Hagë, 3 prill 2023 – Disa qindra shqiptarë nga vendet e Evropës, si edhe nga Kosova dhe viset tjera shqiotare, protestuan sot para Gjykatës Speciale në Hagë, ku filloi procesigjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Protestuesit, përmesa parullave e afisheve dhe brohoritjeve, kërkuan lirimin e ish krerëve dhe ish pjesëtarëve tjerë të UÇK-së nga akuzat që i cilësuan “të paqëndrueshme” dhe “të montuara”.
Ata bartnin parulla e afishe me shprehje mbështetjeje për luftën e UÇK-së, si: “Mos ma gjyko lirinë”, “Marshojmë për UÇK-në”, “UÇK, NATO”, “Kosova viktimë, Serbia agresore”, etj.
“Ne ishim viktimë kolektive e një shteti gjenocidal. Nuk po kërkojmë as më pak e as më shumë se sa drejtësi. Liria ka emër – Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Lindita Haxhiu-Zeqiri, pjesëmarrëse në protestë.
“Si mund të jetë dikush i fajshëm që ka luftuar për popullin e tij? Nuk mundet një njeri të jetë edhe çlirimtar edhe vrasës. Këta nuk kanë shkuar as në Beograd e as diku tjetër në Serbi për të luftuar, por i kanë mbrojtur familjet tona”, ka thënë një qytetar nga Peja që jeton tash e 30 vjet në Gjermani.
“Ata janë plotësisht të pafajshëm dhe do të lirohen. Nuk do të shkojë më gjatë se një vit dhe ata do të jenë pranë familjeve të tyre”, ka thënë një protestues që kishte ardhur nga Hamburgu i Gjermanisë.
Ish-ushtaraku shqiotar Kudusi Lame, në një fjalim rasti para protestuesve, ka thënë se “të fuqishmit” duan ta shndërrojnë Serbinë në viktimë kurse shqiptarët që luftuan për çlirim t’I shndërrojnë në kriminelë.
“Nuk mund të durojmë më padrejtësinë vetëm sepse të fuqishmit duan të rregullojnë interesat e tyre mbi të drejtat tona. Nuk jam i gatshëm të pranoj padrejtësinë vetëm sepse Serbinë dikush ka dëshira ta kthejë në viktimë kurse shqiptarët që luftuan për t’u çliruar e për shpëtuar prej saj (Serbisë), të kthehen në kriminelë. A ndihesh vërtetë e plotësuar duke akuzuar çlirimtarët për krime për të bërë Serbinë viktimë? A i beson vetë këto që po bën? A vërtet mendon Evropa që progresi dhe zhvillimi arrihen duke dëmtuar çlirimtarët?’, ka thënë Lame.
Protesta e shqiptarëve të diasporës para Gjykatës Speciale në Hagë përfundoi në orën 13:00 dhe protestuesit u shpërndanë në mënyre të qetë.
Gjatë kohës që pombahej protesta, në sallën e seancëve gjyqësore të Gjykatës Speciale filloi procesi gjyqësor kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.
Në seancën e sotme u paraqit një përmbledhje e aktakuzës, ndërsa të akuzuarit u deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikët e aktakuzës.
Sipas Dhomës së Prokurorisë së Specializuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të zgjasë me vite. Vetëm prokuroria ka kërkuar 600 orë punë për paraqitjen e dëshmitarëve dhe provave të veprave penale të përfshira në aktakuzë.(r.m.)