Tiranë, 4 gusht 2024 – Qytetarët e Himarës po votojnë sot në zgjedhje për kryetar të bashkisë. Këto zgjedhje janë shpallur pasi kryetarit të zgjedhur në zgjedhjet e rregullta, Fredi Beleri, iu pamundësua ta ushtronte detyrën.
Muajin e kaluar, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, shpalli zgjedhje të reja në Himarë, pasi Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ia hoqi Belerit mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, pasi Gjykata e Apelit e la në fuqi dënimin e tij me burgim, për “korrupsion në zgjedhje”.
Në zgjedhjet e sotme qytetarët e bashkisë së Himarës do të zgjedhin mes dy kandidatëve: kandidatit të Partisë Siocialiste, Vangjel Tavos, dhe kandidatit të opozitës, shqiptaro-amerikanit Petro Gjikuria.
Vangjel Tavo ka qenë deputet i partisë së Ilir Metës, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai ka qenë minister i Shëndetësisë në mandatin që LSI-a ishte në koalicion me Partinë Socialiste të Eddi Ramës. Deri para një muaji ishte prefekt i qarkut të Vlorës. Nga kjo pozitë dha dorëheqje për të garuar për kryetar të bashkisë së Himarës.
Petro Gjikuria është shtetas shqiptaro-amerikan. Prej disa vitesh ai jeton në Uashington dhe është pjesë e organizatës “Federata Panepirote e Amerikës”. Ai ka qenë njëri ndër mbështetësit e Belerit. Gjikuria është propozuar për pozitën e kryetarit të bashkisë së Himarës nga shoqata e minoritetit grek në Shqipëri “Omonia” dhe nga Partia për të Drejtat e Njeriut, e cila e përfaqëson këtë minoritet. Propozimi i tyre është mbështetur nga partitë opozitare.
Votimi, i cili do të zgjasë deri në orën 19:00, po zhvillohet në 36 qendra votimi. Të drejtë vote kanë 23.000 banorë të kësaj bashkie.
Procesi i votimit po ndiqet me interesim të madh të medieve, për shkak të zhvillimeve të fundit në këtë bashki dhe sidomos për shkak të përplasjeve midis pozitës dhe opozitës.
(r.m.)