Në Iran nisin ceremonitë e varrimit të Presidentit dhe ministrit të Jashtëm

Teheran, 21 maj 2024 – Të marten në Iran kanë nisur ceremonitë e varrimit të Presidentit Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe të tjerëve që e humbën jetën të dielën në rrëzimin e helikopterit me të cilin po udhëtonin.

Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në një ceremoni në kujtim të të vdekurve që është mbajtur të marten në Tabriz, kryeqytetin e provincës iraniane Azerbajxhani Lindor, ku u rrëzua helikopteri. Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, e postoi në rrjetin social X fotografinë me arkivolet e Raisit dhe Amir-Abdollahianit.

Autoritetet iraniane i kanë caktuar edhe disa ceremoni të tjera për Raisin. Një e tillë është caktuar për të martën pasdite në qytetin Qom.

Në Teheran dhe në Birjand, të mërkurën dhe të enjtjen, do të mbahen ceremoni të tjera.

Presidenti Rais do të varroset në faltoren Imam Reza në qytetin e shenjtë Mashhad.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e ka emëruar president në detyrë Mohammad Mokhberin, i cili ishte zëvendëspresident i Raisit. Mandati i tij si president do të zgjasë deri në zgjedhjet e parakohshme presidenciale të cilat do të mbahen më 22 qershor. Zgjedhjet do t’i organizojë Mokhber, së bashku me kryetarin e Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe kryetarin e Gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.

(r.m.)