Në Jarinjë arrestohet një shtetas serb që e sulmoi një polic të Kosovës

Prishtinë, 7 prill 2023 – Policia e Kosovës njoftoi se të premten pasdite, në pikën kufitare me Serbinë, në Jarinje, është arrestuar një shtetas i Serbisë, i cili e ka sulmuar fizikisht një zyrtar të Policisë së Kosovës. në njoftim thuhet se shtetasi serb me inicialet N.T. e ka sulmuar zyrtarin policor të Kosovës pasi nuk u lejua tëhynte në Kosovë, sepse nuk posedonte dokumentet e nevojshme.

“Në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinje, sot më 07.04.2023, rreth orës 16:30, në hyrje për në Republikën e Kosovës, ka ardhur një shtetas i Serbisë, i cili nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm për të hyrë në Republikën e Kosovës. Pas refuzimit për hyrje në vendin tonë, i dyshuari N.T., (viti i lindjes 1981, shtetas serb i Serbisë) ka filluar të fyej zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar.  Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftim thuhet se i arrestuari është dërguar në mbajtje për 48 orë,me vendim të prokurorit. Ndaj tij është inicuar procedura për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar“.

Lidhur me rastin ka reaguar Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë. Ajo ka thënë se shtetasi serb I arrestuar është Nikolla Todoroviq, mjek në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicë të Veriut.

Sipas komunikatës së zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Todoroviq ishte duke udhëtuar bashkë me fëmijët e tij të mitur për në komunën e Skenderajt, siçthuhet ”për një festë fetare ortodokse”.

“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës e kanë ndaluar për shkak të mungesës së dokumentacionit për fëmijët, i kanë nxjerrë fëmijët nga vetura dhe para tyre e kanë ngacmuar Todoroviqin, dhe kur ai i ka kundërshtuar ata e kanë marrë në mbajtje”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Kjo zyrë ka bërë të ditur se tashmë ka angazhuar një avokat për të arrestuarin.

(r.m.)