Në katër komunat veriore të Kosovës po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale

Prishtinë, 23 prill 2023 – Në katërkomunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe (mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Leposaviq) sot po mbahen zgjedhjet jashtëzakonshme lokale.

Votimi për kryetarë të këtyre komunave po bëhet në 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 qendra të votimit janë hapur në kontenjerë të vendosur enkas për këtë proces, për të shmangur rezistencën eventuale të drejtuesve të institucioneve lokale.

Në garë për kryetarë të këtyre katër komunave janë gjithsej dhjetë kandidatë. Prej tyre, vetëm njëri është pjesëtar i komunitetit serb, për shkak se partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi, ka vendosur t’i bojkotojë këto zgjedhje.

Postet e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës mbetën bosh në muajin nëntor të vitit të kaluar, kur kryetarët e atëhershëm dhanë dorëheqje nga këto pozita me kërkesë të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që serbët t’i braktisin institucionet e Kosovës në komunat veriore dhe në nivelin qendror.

Vuçiq ka kritikuar ashpër institucionet e Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por edhe vendet e QUINT-it (SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë) për shkak se i dhanë legjitimitet këtyre zgjedhjeve. Sipas tij, këto zgjedhje pamundësojnë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili është shpallur si interes nacional i serbëve.

Shtetet e Bshkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian shprehën keqardhje që Lista Serbe, e cila ka qeverisur në këto komuna deri në muajin nëntor, vendosi t’i bojkotojë këto zgjedhje.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri mbahen në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të marrin pjesë në këto zgjedhje, të cilat i konsiderojnë të rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe për funksionimin e institucioneve në pjesën veriore të vendit.

(r.m.)