Prishtinë, 9 maj 2021 – Qeveria e Kosovës njoftoi se në Kizhevak afër Rashkës, në Serbi, po vazhdojnë gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës në Kosovë.
Gërmimet në këtë lokacion kanë rifilluar më 5 maj.
“Gjatë këtyre ditëve, me qëllim të krijimit të mundësive për të vazhduar me zhvarrosjen e eshtrave, mbetjeve mortore, të viktimave të luftës, është bërë dekonservimi i terrenit për të filluar me gërmimet vlerësuese, përfshirë edhe largimin e dheut dhe gurëve të hedhur në këtë lokacion të varrezës masive gjatë vitit 1999 dhe vitet e para të pasluftës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas qeverisë, gërmimet në këtë lokacion do të vazhdojnë deri në zhvarrosjen e eshtrave të të gjitha viktimave të luftës që mund të jenë dërguar e groposur atje, për të fshehur gjurmët e krimit shtetëror të Serbisë në Kosovë.
Në këto gërmime po marrin pjesë edhe ekspertë mjeko-ligjorë nga Kosova.
Gërmimet e para në varrezën masive në Kizhevak janë bërë në fund të vitit të kaluar. Atje u gjetën mbetjet mortore të 4-5 personave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se janë bërë dy identifikime të eshtrave të zhvarrosura në Kizhevak dhe se ato u përkasin viktimave të luftës në Kosovë.
(r.m.)