Prishtinë, 13 gusht 2021 – Të premten në Kosovë u regjistrua numri më i lartë i të prekurve nga COVID-19 brenda një dite, gjatë vitit 2021.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi 1 mijë e 128 të prekur nga COVID -19 në 24 orët e fundit dhe tre të vdekur nga pasojat e kësaj sëmundjeje.
Pjesa më e madhe e të infektuarve janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç.
Që nga një gushti janë konfirmuar 5 mijë e 413 të prekur, që paraqet periudhën më të rëndë gjatë këtij viti.
Shtimi i numrit të të prekurve është duke sfiduar mundësitë e institucioneve shëndetësore në vend.
Para një jave në klinikat të cilat trajtojnë rastet me COVID-19 ishin të shtrirë 119 të infektuar, derisa këtë të premte kjo shifër e kaloi dyfishin, me 247 pacientë të shtrirë në spitale. Autoritetet thanë se prej tyre 171 janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, ndërkaq 8 janë në gjendje të rënduar shëndetësore.
Pjesa më e madhe e rasteve të reja janë të prekur me variantin Delta të koronavirusit që sipas ekspertëve shëndetësor karakterizohet me shpejtësi më të madhe të përhapjes.
Për shkak të situatës së re qeveria e Kosovës vendosi të enjten masa shtrënguese, siç është bartja e maskës dhe ndalimi hyrjes në vende ku grumbullohen më shumë se 100 persona pa certifikatë vaksinimi.
(Zëri i Amerikës)