Prishtinë, 23 dhjetor 2024 – Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të hënën aktakuzë kundër një pjesëtari të komunitetit serb nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile, gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se i dyshuari, që u identifikua me inicialet V.N, akuzohet se “duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasjen e dy viktimave M.A dhe SH.A, si dhe plagosjen e të dëmtuarit SH.S”.
Sipas aktakuzës, veprat penale janë kryer në qytetin e Suharekës, mbi 40 kilometra larg Prishtinës.
“Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbaj gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri V.N është i pa arritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, përgjegjësinë për ndjekjen e krimeve të luftës e kishte fillimisht Misioni i Kombeve të Bashkuara, e më pas misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e Ligjit. Diku nga fillimi i vitit 2016 Prokuroria e Posaçme e Kosovës nisi marrjen përsipër të lëndëve.
Veprimtarët në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen se numri i ultë i prokurorëve e gjykatësve dhe mungesa e bashkëpunimit nga Serbia janë dy ndër sfidat më të mëdha në ndjekjen e krimeve të luftës.
Kodi i ri penal i Kosovës, që ka hyrë në fuqi në vitin 2019, mundësoi edhe fillimin e proceseve të para të gjykimeve në mungesë. Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, gjatë vitit të kaluar prej gjithsej pesëmbëdhjetë aktakuzave të ngritura për krime lufte nga sistemi i drejtësisë, tetë janë ngritur në mungesë kundër 61 pjesëtarëve të forcave serbe. Ndërkaq që nga përfundimi i luftës deri tash nga institucionet vendëse e ndërkombëtare për krime lufte janë dënuar mbi 70 persona.
Mbi 10 mijë veta u vranë dhe mbi 5 mijë llogariteshin të zhdukur në fund të luftës në Kosovë e cila mori fund me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, që u dhanë fund mizorive të forcave serbe.
Nëntë vjet pas luftës Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore euro-perëndimore, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi i mbështetur nga Moska.
(Zëri i Amerikës)