Prishtinë, 31 korrik 2022 – Policia e Kosovës njoftoi të dielën se 18 persona janë arrestuar nën dyshimet për trafikim me emigrantë, gjatë një operacioni policor të kryer të shtunën, në fshatin Shkozë të Prizrenit.
Në njoftim thuhet se emigrantët, kryesisht aziatikë, kanë hyrë në Kosovë në rrugë të paligjshme nga Shqipëria dhe janë dërguar në pjesën veriore të Kosovës, me qëllim të vazhdimit të udhëtimit drejt shteteve të Evropës Perëndimore.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 4 armë zjarri, 95 fishekë, 3 autobusë, 2 vetura, 2 radiolidhje dhe 17 telefona celularë.
Pas intervistimit të 18 të të arrestuarve, me aktvendim të prokurorit, 17 prej tyre janë dërguar në mbajtje, kurse ndaj njërit prej tyre do të vazhdojë procedura e rregullt.
Hetimet lidhur me trafik të emigrantëve po zhvilloheshin që nga muaji mars i vitit 2022. Më 14 korrik është arrestuar një shtetas sirian, me inicialet M.A., i cili ka qëndruar në Kosovë dhe e ka organizuar trafikimin me emigrantë.
Autoritetet në Kosovë thonë se viteve të fundit është rritur numri i emigrantëve që po e shfrytëzojnë Kosovën si rrugë kalimtare për në vendet e Bashkimit Evropian.
(r.m.)