Në Kosovë, arrestohen 50 policë e doganierë të dyshuar për marrje ryshfeti

Prishtinë, 14 mars 2022 – Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me urdhër të Prokurorisë Speciale, po kryen një aksion kundër zyrtarëve policorë dhe doganorë që dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot, në orët e hershme të mëngjesit, një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të IPK-së.

Sipas njoftimeve të pakonfirmuara, gjatë operacionit të koduar “Pika”, i cili po zhvillohet në rajonin e Gjakovës dhe të Prizrenit janë arrestuar 50 zyrtarë policorë e zyrtarë doganorë. Prej tyre thuhet se 48 janë zyrtarë policorë kufitarë, kurse dy janë zyrtarë doganorë.

Në mesin e zhyrtarëve policore të arrestuar janë edhe komandanti i policisë kufitare në pikën kufitare Qafë Morinë, Ramiz Ahmeti, dhe komandanti i policisë në pikën kufitare në Qafë Prush, Xhavit Lokaj.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka konfirmuar se Ahmeti dhe Lokaj janë në mesin e rreth 50 të arrestuarve gjatë aksionit të sotëm.

Ndërkaq Dogana e Kosovës ka konfirmuar njoftimin për arrestimin e dy zyrtarëve të saj, por nuk e ka publikuar identitetin e tyre. Në njoftim bëhet e ditur se dy zyrtarët e arrestuar janë suspenduar nga puna.

“Dogana e Kosovës zbaton politika rigoroze që dekurajojnë me efikasitet praktikat e korrupsionit dhe sjelljes jo profesionale si dhe do të ndërmarrë me prioritet veprime që synojnë luftimin e korrupsionit dhe praktika të dëmshme e sjellje jo profesionale. Mbi këtë konsideratë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës ka ndërmarrë veprimin e suspendimit të menjëhershëm të zyrtarëve doganorë të arrestuar dhe do të fillojë procedimin administrativ disiplinor”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se aksionit të sotëm i ka paraprirë një hetim njëvjeçar lidhur me dyshimet se zyrtarët policorë dhe doganorë mund të jenë përfshirë në kryerjen e veprave penale.

(r.m.)