Prishtinë, 3 gusht 2024 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se në një aksion të kryer sot, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me gjykatën kompetente, janë pesë persona të dyshuar për veprën penale “Krime Lufte”.
Në njoftim thuhet se të arrestuarit dyshohet se më 5 prill të vitit 1999, në disa fshatra të Komunës së Gjilanit, i kishin vrarë, i kishin plagosur dhe i kishin djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, i kishin marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar e torturuar fizikisht, ndërsa shtëpitë e pronat e viktimave i kisahin plaçkitur, shkatërruar dhe djegur.
“Në kuadër të këtij aksioni, me urdhër të Prokurorit Special, janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe me uniforma jo të rregullta të policisë apo të ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe me dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria nuk e ka zbuluar identitetn e të arrestuarve, të cilët i ka shënuar vetëm me iniciale.
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë i identifikoi katër nga pesë të arrestuarit: Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Millosh Shoshqç dhe Slobodan Jevtiq, nga fshati Pasjan i komunës së Gjilanit.
Ajo mohoi që të arrestuarit të jenë përfshirë në krime lufte dhe e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se, siç thuhet, “po vazhdon të terrorizojë popullin serb në Kosovë”.
“Është e qartë se me arrestimet e reja në Pasjan, regjimi antiserb nga Prishtina dëshiron të përshkallëzojë situatën në terren dhe ta bëjë të padurueshme jetën e serbëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.
Mbi 10 mijë persona janë vrarë dhe mbi 5 mijë të tjerë konsiderohen të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, pas përfundimit të luftës në Kosovë nga sistemi gjyqësor vendës dhe ndërkombëtar janë dënuar rreth 70 persona të zkuzuar për krime lufte. Ppjesa më e madhe e të dënuarve janë shqiptarë.
Autoritetet e Kosovës i akuzojnë autoritetet e Serbisë se vazhdojnë të fshehin përgjegjësit për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës, si edhe informacionet për vendndodhjen e mbetjeve të viktimave.
Deri më tani janë zbuluar disa lokacione ku ishin dërguar dhe ishin groposur civilët shqiptarë tՃ vrarë në Kosovë nga policia, ushtria dhe paramilitarër serbë.
(r.m.)