Në Kosovë, arrestohet edhe një i dyshuar për dhunën ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan

Prishtinë, 25 korrik 2024 – Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën, në rajonin e Mitrovicës së Jugut, e ka arrestuar personin me iniciale D.D. të dyshuar lidhur me sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në maj të vitit të kaluar, në Zveçan.

Policia e Kosovës në veri ka konfirmuar se bëhet fjalë për arrestimin e Dushan Drobacit.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se D.D. – ndaj të cilit është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale – ka përdorur dhunë në mënyrë aktive në Zveçan dhe është i dyshuar për katër vepra penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kreu vepër penale dhe huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Në Kosovë deri më tani janë arrestuar dhjetë persona për dhunën në protesta dhe për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Dhuna në Zveçan pati shpërthyer pasi grupet radikale serbe, të inkurajuara nga Beogradi zyrtar, e patën kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të banuara me shumicë serbe. Pjesëtarët e KFOR-it ishin sulmuar me mjete të forta dhe me kuktej molotovi para ndërtesës së komunës.

93 pjesëtarë të KFOR-it qenë plagosur gjatբ sulmit. Së paku dy pjesëtarëve hungarezë të KFOR-it u janë amputuar këmbët, për shkak të plagëve të pashërueshme.  

Më 29 maj, në njëvjetorin e sulmit ndaj pjesëtarëve të tij, KFOR-i kërkoi që personat e përfshirët në sulmin e vitit të kaluar të nxirren para drejtësisë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato janë kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Por, Serbia e ka mohuar një akuzë të tillë, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se synonte të shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.

(r.m.)