Në Kosovë arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte

Prishtinë, 3 qershor 2022 – Policia e Kosovës njoftoi se të enjten e ka arrestuar një shtetas serb, të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se i arrestuari dyshohet se ka kryer krime kundër popullatës civile në Kosovë në periudhën 1998-1999 në fshatin Gurakoc të Istogut.

Por identi dhe detaje të tjera lidhurme të arrestuarin dhe lidhur me veprat që i vihen barrë atij nuk janë bërë publike.

Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë bëri të ditur se bëhet fjalë për Çasllav Jelliq, 54 vjeç. Sipas kësaj zyreje, Jelliq është banor i Serbisë dhe qe 23 vjet kishte udhëtuar rregullisht për në Kosovë dhe asnjëherë nuk kishte pasur probleme.

“Ai ka shkuar atje për të kryer detyra të caktuara për seancën dëgjimore pas vdekjes së babit të tij dhe është arrestuar në bazë të aktakuzës së fundit. Ky rast vazhdon praktikën e aktakuzave të ngritura nga Prishtina kundër serbëve nga Kosova, që në këtë mënyrë t’i pengojë të kthehen në shtëpitë e tyre apo të kërkojnë të drejtat e tyre”, thuhej në njoftimin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Në njoftim thuhet gjithashtu se të arrestuarit i është ofruar mbrojtje ligjore dhe për arrestimin janë informuar përfaqësuesit ndërkombëtarë.

(r.m.)