Në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë sot votohet marrëveshja për njohjen e letërnjoftimeve

Prishtinë / Sarajevë, 23 shkurt 2023 – Në Kuvendin e Kosovës dhe në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës sot pritet të votohet marrëveshja e lëvizjes së lirë me letërnjoftime mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Pas hyrjes në fuqi, marrëveshja do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe nga Bosnja e Hercegovina.

Më 8 shkurt, Qeveria e Kosovës kishte miratuar këtë marrëveshje, ndërsa sot pritet të ratifikohet në Kuvend.

Ndërkaq, në Bosnjë e Harcegovinë, marrëveshja do të miratohet në Këshillin e Ministrave, e pastaj do të dërgohet për miratim në Parlamentin e Bosnjës e Hercegovinës.

Kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin, më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Bosnja e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë, nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.

Kosova ka vendosur masën e reciprocitetit për regjimin e vizave për shtetasit e Bosnjës e Hercegovinës në vitin 2014.

Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Radio Evropa e Lirë, vitin e kaluar solli rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thanë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi kjo do të nënkuptonte për ta “fundin e agonisë”.

Vitin e kaluar, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

(r.m.)