Në Kosovë filloi stërvitja ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 2023”

Prishtinë, 21 maj 2023 – Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjes ushtarake më të madhe shumëkombëshe në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 2023”. Një pjesë e stërvitjes, e cila filloi sot dhe do të zgjasë deri më 2 qershor, do të zhvillohet në Babaj të Bokës, në rajonin e Gjakovës, në zonën e kufirit me Kosovën.

Ceremonia e hapjes së stërvitjes u mbajt në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, të dielën, më 21 maj.

Në ceremoni morën pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, dhe figura të tjera publike.

Presidentja Osmani, në fjalën e saj të hapjes, tha se stërvitja ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, në të cilën Kosova është nikoqire, është simbol i vendosmërisë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht.

Ajo tha se kjo stërvitje zhvillohet në një mjedis shumë të ndjeshëm të sigurisë, ku sfidat dhe kërcënimet po bëhen gjithnjë e më komplekse, andaj bashkëpunimi me aleatët në fushën e mbrojtjes ka rëndësi ekzistenciale.

Presidentja Osmani, duke iu drejtuar pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që marrin pjesë në këtë stërvitje, tha gjithashtu se forca e një vendi nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve, por edhe në lidhjet dhe aleancat që i ndërton.

“Në këtë stërvitje ndërkombëtare ju jeni krahas ushtrive nga kombe të ndryshme dhe shtete të ndryshme megjithatë ju qëndroni të bashkuar në një kauzë të vetme. Kauzës së përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin, për ta ndërtuar besimin dhe për ta rritur ndërveprimin midis forcave aleate. Jeni mishërimi i punës në grup duke kapërcyer kufijtë dhe duke punuar së bashku drejt një qëllimi të përbashkët: sigurisë dhe mbrojtjes së vlerave tona. Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërisë sonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është kujtesë që forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqitë e armëve tona por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta që çdo ditë po i kultivojmë”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani tha se kjo stërvitje është historik si për Kosovën ashtu edhe për FSK-në.

“‘Defender Europe 2023’ përkon edhe me 24-vjetorin e çlirimit tonë, që është ditë po aq e freskët sa kujtesa e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së me forcat e vendeve tjera aleate të NATO-s kundër gjenocidit të Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës. Ne ishim viktima, kurse regjimi i Millosheviqit ishte agresori. Lufta jonë ishte luftë për liri. Kjo është e vërteta e vetme që do ta mbrojmë çdo herë e kudo”, tha ajo.

This image has an empty alt attribute; its file name is Albin-Kurti-2-1.jpg

Kryeministri Albin Kurti tha se stërvitja ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023” është stërvitja më e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.

“Mbi 1300 ushtarakë të forcave tona do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s e vendeve partnere të SHBA-së. FSK-ja është e katërta në këtë ushtrim përnga numri i ushtarëve pjesëmarrës. Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes, por edhe përkushtimin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përfaqfojnë vlerat demokratike. Siguria e kontinentit evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e do – të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, paqja dhe demokracia”, tha ai.

Kurti tha se realiteti aktual dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ushtarak të botës demokratike.

“Stërvitja ’Defender Europe ‘23’ po zhvillohet në një realitet më të tensionuar, 15 muaj pas pushtimit rus të Ukrainës. Si e tillë ka të bëjë jo vetëm me të ardhmen e Evropës, por mbarë botës. Përgatitjet për t’u përballur me kërcënimet e njohura dhe ato të paparashikueshme janë të domosdoshme. Ashtu si është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake, e që janë objektivat kryesore të ‘Defender Europe ‘23’”, u shpreh Kurti.

“Edhe ky togfjalëshi ‘Stronger together’, bashkë më të fortë, është veçse variacioni e jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut, bashkimi bën fuqinë. Demokracia, shoqëria, e vlerat njerëzore kanë nevojë më shumë se kurrë për ushtrinë. Sepse, demokracia është sistemi më i brishtë, sepse është sistemi më i hapur. Duke mos i harruar mësimet nga historia jonë kombëtar dhe ajo e mbarë njerëzimit, të jemi të bashkuar me vullnet e disiplinë më të lartë në zhvillimin e përmbylljen me sukses të këtij ushtrimi kaq të rëndësishëm për gjithë ne”, theksoi ai.

Ambasadori amerikan Jerrfrey Hovenier tha se derisa agresioni rus i Ukrainës po vazhdon, është veçanërisht e rëndësishme të vihet në pah një ushtrim si “Defender Europe 2023”.

“Një ndër qëllimet e kësaj stërvitje është që të tregohet aftësia e forcave ushtarake të SHBA-së për të zbatuar shpejt trupat dhe pajisjet e gatshme për luftë, për të siguruar aleatët, për parandaluar ata që mund të kërcënojnë paqen në Evropë dhe për ta mbrojtur këtë kontinent nga agresioni”, tha ambasadori amerikan.

Ai tha se stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023” ka qëllim edhe të shprehë përkushtimin e aleatëve dhe partnerëve evropianë të SHBA-së “të përmirëspjnë shkallën, kapacitetet dhe ndërveprueshmërinë e ushtrive të tyre”.

Ambasadori Hovenier theksoi se Kosova, me ndihmën e SHBA-së, po shndërrohet nga konsumuese e sigurisë në prodhuese dhe eksportuese e sigurisë.

“FSK-ja i ka bërë kosovarët më të sigurtë, i ka hequr mbi 13 mijë mina e ka reaguar në shumë aksione. Ne, Qeveria amerikane, kemi kënaqësinë të bashkëpunojmë me Qeverinë e Kosovës, me Ministrinë e Mbrojtjes e FSK-në, derisa të avancojmë tutje drejt një force ushtarake shumëetnike të mbrojtjes territoriale, siç e kemi synimin. Duam të arrijmë këtë qëllim. Vizioni i përbashkët është i qartë – Kosova të vazhdonë të shndërrohet nga konsumatore dhe importuese e sigurisë nga forcat botërore, në një prodhuese dhe eksportuese të sigurisë, duke ndihmuar për të ofruar siguri më të madhe në gjithë botën”, tha ai.

Ambasadori Hovenier tha se në stërvitjen “Defender Europe 2023” po marrin pjesë 9 mijë ushtarakë amerikanë.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha se Kosova do të jetë vendi i katërt me më së shumti ushtarakë që marrin pjesë në këtë stërvitje.

“Në këtë stërvitje do të kemi pjesëmarrës nga 25 shtete, me mbi 24 mijë pjesëmarrës. Republika e Kosovës, si vend pritës, do të ketë mbi 1300 ushtarakë, ne do të jemi vendi i katërt me më së shumti ushtarakë pjesëmarrës. Paqja është rruga jonë. Paqja është e vetmja rrugë. Ju uroj sukses të gjithëve, dëshmoni që jemi të gatshëm të jemi krah për krah me partnerët tanë kurdo që kërkohet nga Aleanca jonë”, ka thënë ai.

Mehaj theksoi se objektiv i Kosovës është anëtarësimi në NATO.

Në ceremoninë e hapjes së stërvitjes u bë edhe prezantimi i pajisjeve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Stërvitjet ushtarake “Defender Europe” janë stërvitje vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga SHBA-ja. Ato janë stërvitje me karakter mbrojtës dhe përqendrohen në parandalimin e agresionit.

(r.m.)